12 mars 2015 – Policia e Shtetit ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin e treguar gjatë kontrolleve të paralajmëruara në akset rrugore dhe për bashkëpunimin e treguar prej tyre gjatë protestës së sotme që u mbajt në Tiranë.

Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Policia e Shtetit deklaron se protesta e opozitës paraditen e sotme para Kryeministrisë u zhvillua paqësisht dhe nuk pati asnjë incident.

“Protesta e sotme u zhvillua paqësisht. Policia e Shtetit falënderon të gjithë qytetarët për mirëkuptimin e treguar gjatë kontrolleve të paralajmëruara në akset kombëtare si dhe për bashkëpunimin e treguar prej tyre. Policia e Shtetit është në krye të detyrës për të garantuar rendin dhe sigurinë”, thuhet një njoftimin e policisë.

Më herët, Policia e Shtetit ngriti dyshime se në mesin e protestuesve do të kishte persona të armatosur dhe nga ata me precedentë të mëparshëm penalë, por fatmirësisht gjithçka përfundoi paqësisht dhe tregoi një emancipim të qytetarëve të Shqipërisë.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/