Pas publikimit të lajmit në gazetën “Shekulli”, se dy drejtorë policë baxhanakë me njëri- tjetrin ishin të implikuar në kultivimin e drogës dhe publikimit të një raporti sekret, ka reaguar policia e shtetit. Policia e Shtetit ka sqaruar opinionin publik se ky lajm është tërësisht i pavërtetë dhe një sajesë e qëllimshme për të cënuar integritetin e policisë dhe punën e saj.

“Theksojmë se është një lajm tërësisht i gënjeshtërt, për raporte  të fabrikuara nga redaksi që kanë si synim vetëm përbaltjen e  punës së policisë. Një raport  i tillë nuk ka egzistuar kurrë e as egziston. Ky lajm i fabrikuar ‎mbi egzistencën e një raporti tërësisht të sajuar, fsheh  mbrapa  interesa personale, politike dhe kriminale”, – shkruhet në deklaratë.

Më tej Policia e Shtetit shprehet se rezultatet kundër drogës dhe paligjshmërisë  dëshmojnë vullnetin dhe angazhimin e Policisë së Shtetit në këtë luftë. Nga ana tjetër, besimi i partnerëve ndërkombëtarë te Policia e Shtetit  rikonfirmohet pas çdo operacioni të përbashkët antitrafik.

Ky besim është maksimal, falë rezultateve të përbashkëta dhe intensitetit ‎të punës për luftën kundër kultivimit dhe trafikimit.

Policia e  Shtetit bën me dije se mbetet në dispozicion të medias për çdo informacion zyrtar, duke i bërë thirrje të mos raportojë lajme të pavërteta e të sajuara që kanë për qëllim vetëm ‎keqinformimin e publikut.

Gjithashtu Policia e Shtetit ka deklaruar se do të ndjekë rrugën ligjore  ndaj kujdo  që prodhon , fabrikon  dhe  sajon  shpifje të  cilat synojnë prishjen e imazhit  të policisë dhe të vendit.