Gjirokastër, 23 qershor 2014 – Gjatë kontrolleve të forcave të policisë gjatë ditës së sotme në fshatin Lazarat, me qëllim gjetjen e asgjësimin e lëndëve narkotike, sekuestrimin e sendeve të kundërligjshme, kryerjen e veprimeve procedurale dhe hetimore, si dhe vënien para drejtësisë të atyre personave që kanë kryer veprime të kundraligjshme, është bërë e mundur që në një tunel në fshatin Kordhocë, të gjendet një sasi e konsiderueshme lekësh.
Nga kontrolli i forcave të policisë në territoret përreth banesës së një shtetasi në fshatin Kordhocë, në një tunel u gjet një sasi prej 26 milion e 480 mijë lekë të vjetër, të cilët u bllokuan me cilësinë e provës materiale.
Përveç sasive të mëdha me drogë, Policia e Shtetit, në kuadër të operacionit të ndërmarrë në Lazarat ka bllokuar dhe arsenal armësh, të llojeve të ndryshme. Kështu, sipas informacioneve që vinë nga policia, mësohet se gjatë veprimeve për kontrollin e territorit dhe ambienteve krahas identifikimit të sipërfaqeve të kultivuara me kanabis dhe gjetjes e asgjësimit të bimëve narkotike, një vëmendje e veçantë i është kushtuar dhe gjetjes e grumbullimit të armëve e municioneve luftarake.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





