Shqiptari Klodi Lesi, duket se ka rënë në gjurmët e policisë greke. Lesi pasi vrasjes së bashkëshortes së tij u arratis bashkë me djalin.
Një motoçikletë e mbuluar me shkurre u gjet pasditen e djeshme 1 km larg nga zona bregdetare e Halkidikisë, në Psakoudia, që ndodhet 10 km larg nga Omilia fshati ku ai banonte, gjë që tregon se ai ka qëndruar aty pranë me djalin, raporton Shekulli. Më pas, e ka braktisur mjetin duke e fshehur.
Mediet greke shkruajnë se ky fakt konfirmon skenarin e policisë se autori e kishte paramenduar vrasjen e bashkëshortes dhe kishte përgatitur një tjetër mënyrë apo mjet për të vazhduar arratisjen.
Po ashtu, aty pranë është zbuluar dhe një vatër e shuar zjarri, ndezur prej tij, xhaketa e përgjakur dhe mbetje ushqimesh. Sipas antenës së telefonit celular, rezulton që Lesi që nga e enjtja dhe e premtja, ka qenë në afërsi të fshatit, por më pas sinjali ka humbur.
Kërkimet vazhdojnë jo vetëm nga policia, me qen nuhatës, por edhe nga vullnetarët që gjatë këtyre netëve nuk kanë reshtur së kërkuari, të shqetësuar për fatin e fëmijës, që përveç traumës, ditën e ngjarjes ishte me temperaturë të lartë.
Pavarësisht se në fillim dyshuan se autori i ishte drejtuar Shqipërisë, tashmë policia greke mendon se Klodi Lesi, birit të Frrokut dhe Pashes, lindur në 22 shkurt 1982, nuk ka pasur mundësi të largohet dhe ndodhet i fshehur brenda vendit.