ATHINË, 31 maj 2013 –Fund i lumtur për të miturën shqiptare, e cila ishte zhdukur për 4 ditë, por u gjet në gjendje të mirë në mesnatën e 30-31 majit, raportuan mediet helene.
Trembëdhjetëvjeçarja Kristina Krasa, e cila u zhduk nga shtëpia e saj, në Spata të Atikës, më 26 maj, u gjet nga policia greke në Loutra Eleftheron, një qytezë balneare në Kavalla, ku e joshi një 23-vjeçar shqiptar.
Me sa duket, Marjon Ajazi po synonte të merrte 13-vjeçaren në shtëpinë e tij, por dyshohet se, kur ka dëgjuar për mobilizimin e policisë për të gjetur vajzën, ata u larguan së bashku në drejtim të panjohur.
Në mëngjesin e 27 majit ishin në zonën pyjore të Paggaio-s në Kavalla, ku policia zbuloi dy shtëpi të braktisura; këtu e mitura dhe i rrituri kaluan natën, si edhe kanë shkuar në një fermë për ushqim dhe ujë.
Policia kërkoi ditën dhe natën në mal, por nuk mundi t’i lokalizojë.
Në të njëjtën kohë, patrullat e policisë hetuan në rajonin e plazhit nga Ofrynio në Nea Peramos, afërsisht 18 km nga Kavalla, duke kontrolluar të gjitha makinat që kalonin në të dy anët e Kavallës.
Njëra prej këtyre patrullave policore gjeti vajzën që po ecte më këmbë e vetmuar, pak para mesnatës së 30 majit në afërsi të Loutra-s.
E mitura 13 vjeçe ishte në gjendje të mirë shëndetësore, por u dërgua në spitalin e në Kavallës për t’u ekzaminuar.
Pas hetimeve, Ajazi u arrestua në pasditen e 31 majit 2013.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





