Një 17-vjeçar ka mbetur i vrarë pas të shtënave nga policia greke e cila po ndiqte një fuoristradë. Sipas medieve greke, i mituri dhe bashkëmoshatarë të tij kishin hipur në një fuoristradë të cilës policia i bëri shenjë që të ndalonte, shkruan CNN Gr.

Kur makina nuk ka ndaluar dhe ka vijuar të lëvizë me shpejtësi, policët e kanë ndjekur dhe në kryqëzimin për në fshatin Leontar mjeti është përplasur me një mjet tjetër dhe është ndalur.

Policia pohon se dy persona të OPKE-së i janë afruar veturës, njëri në të majtë dhe tjetri në të djathtë, duke u kërkuar personave që të zbresin. Në rrethana ende të paqarta, plumbi i policit ka përfunduar në gjoksin e 17-vjeçarit teksa ndodhej brenda në makinë.

Në vendin e ngjarjes forca të shumta policore kanë marrë deklarata nga të gjithë të përfshirët, ndërsa për policin është duke u përgatitur shkresa e lëndës që do të dërgohet në prokurori.