ATHINË, 30 maj 2013 –Zhduket nga kryeqyteti grek një vajzë 13 vjeçe shqiptare, që dyshohet se është mashtruar nga një bashkatdhetar 23 vjeç.

Mediet helene njoftojnë se në Kavalla të Greqisë po zhvillohet një operacion i madh policor për të gjetur 13-vjeçaren Kristina Krasa, që u zhduk nga shtëpia e saj, në Spata të Atikës, më 26 maj.

Organizata për mbrojtjen e fëmijëve dhanë alarmin për vajzën vetëm disa orë pasi ajo u konsiderua e humbur.

Njoftimet e fundit tregojnë se policia ka gjurmuar të miturën në zonën pyjore të Paggaio-s në Kavalla me një shqiptar.

Policët kanë zbuluar dy shtëpi të braktisura, ku e mitura dhe i rrituri kaluan natën, si edhe kanë shkuar në një fermë për ushqim dhe ujë.

Sipas drejtorit të policisë së Kavallës, Maki Koskeridi, helikopterë me kamera infra të kuqe kanë kontrolluar rajonin e komunës së Paggaio-s.

“Nëse janë në zonë, brenda në pyll, mendojmë se do t’i gjejmë shpejt”, vuri në dukje Koskeridi.

Policia ka publikuar foton e të riut 23-vjeçar nga Shqipëria.

Quhet Marjon Ajazi, djali i Fatmirit dhe Razies, lindur më 25 mars1990 në Shqipëri, me banim të përkohshëm në fshatin Loutra Eleftheroupolis në Kavallë.

Sipas policisë greke, vajza 13 vjeçe u largua me 23-vjeçarin nga Athina në drejtim të Kavallës.

Hetimet e policisë zbuluan se i riu, që kishte kontakte të shpeshta me të mitur nëpërmjet rrjetit social Facebook, është përfshirë në rrëmbimin e saj.

Tekstet e fotove:

1.     Alarmi i dhënë nga organizatat për mbrojtjen e fëmijëve në Greqi për zhdukjen e 13-vjeçares shqiptare Kristina Krasa.

2.     Në foto: Marjon Fatmir Razie Ajazi, pedofil 23 vjeç, që kërkohet nga policia greke për rrëmbimin e të miturës shqiptare.

3.     Fotomontazh: pedofili shqiptar Marjon Ajazi (23 vjeç) dhe viktima shqiptare Kristina Krasa (13 vjeç).

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/