Një përleshje e armatosur ka ndodhur mes policisë greke dhe një grupi personash në zonën e Pogonit në Janinë.

Sipas mediave greke, efektivët e policisë po zhvillonin një aksion kundër një grupi që dyshohet se posedonte lëndë narkotike. Nga informacionet e shtypit grek, bëhet fjalë për një grup shqiptarësh që trafikonin drogë.

Sapo vunë re makinat e policisë, ata qëlluan me armë ndaj policisë. Nga shkëmbimi reciprok i zjarrit, mbeti i vdekur një shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Po kështu, u plagos lehtë në dorë një polic grek.

Aksioni është ende duke vazhduar, shkruajnë mediat greke, për të arrestuar personat e tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. Ndërkohë, nuk ka informacion nëse është konfiskuar lëndë narkotike gjatë këtij operacioni.