Një aksident me pasojë vdekjen e një 29-vjeçari ka ndodhur pas mesnate në Divjakë. Mësohet se i vdekur ka mbetur shtetasi Alban Petro.

I riu udhëtonte me një motorçikletë kur ka goditur nga pas një automjet tip Volkswagen. Sipas informacioneve, automjeti që u godit nga 29-vjeçari po transportonte një grua shtatzënë për në spital.

Një patrullë policie që ndodhej në vendngjarje ka bërë me shenjë për të ndaluar drejtuesin e mjetit, por pas tij ka qenë drejtuesi i motorçikletës që po udhëtonte me shpejtësi të lartë.

Dy autoambulanca mbërritën në vendin e ngjarjes për të transportuar gruan shtatzënë dhe drejtuesin e motorçikletës, teksa ky i fundit humbi jetën pak pas mbërritjes në spital.