TIRANE, 7 prill 2013– Policia e Tiranës identifikon autorin e vrasjes së Sonila Tafës, balerinës e cila humbi jetën aksidentalisht në një klub nate në Tiranë.
Autori i vrasjes dyshohet të jetë, 34-vjecari Artur Kulici i lindur në Tropojë dhe banues në Durrës.
Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se autori i dyshuar është nip i Agron Kulicaj, Nëndrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Të njëjtat burime konfirmojnë se i dyshuari është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.
Ka qenë një punë e vështirë e bluve të Tiranës të cilët për 12 orë resht kanë mbajtur nën kontroll stafin e klubit ku punonte 26-vjecarja.
Por sot policia ka bërë të mundur arrestimin e Edon Barajktarin si bashkëpunëtor të Artur Kuliçit.
Nga hetimet paraprake mësohet se në banesën e Edon Barajktarit u gjet makina e Artur Kuliçit si dhe një armë e tipit kallashnikov.
Balerina vritet aksidentalisht në klubin e natës, nëna tenton të vetëhidhet nga kati i 5
"Nuk më besohet që ti ke vdekur… Më duket sikur do të hysh sërish në derë…" Kuja e nënës dëgjohej deri në fund të shkallëve, e cila kërkonte vazhdimisht vajzën e saj, pa e besuar se ajo nuk jeton më. Në familjen e Sonila Tafës, 26-vjeçares që u vra aksidentalisht mbrëmjen e së premtes, askush nuk guxon që të ngushëllojë babain e saj, të cilit duket se i është shembur bota. Por, dhimbjen më të madhe e ndjen nëna e saj, e cila, nga dhimbja për humbjen e së bijës, duket se e ka humbur sensin për të jetuar, aq sa në një moment ajo kërkon që të vetëhidhet nga kati i pestë i pallatit ku jeton familja e 26-vjeçares.
Kjo ka shqetësuar familjarët, të cilët kanë lajmëruar menjëherë mjekun për të qetësuar nënën e Sonila Tafës. Në familje ajo ishte vajza e vogël e shtëpisë, pas motrës më të madhe, por në të njëjtën kohë edhe si "e përkëdhelura e familjes", të cilët nuk arrijnë ta besojnë dot se ajo nuk është më në mesin e tyre. Edhe në lagjen ku ajo është rritur që fëmijë, Sonilën e njihnin të gjithë si një vajzë të qeshur, punëtore dhe shumë të sjellshme. Për ndarjen e parakohshme nga jeta, u ka ardhur keq, si atyre që e njihnin Sonilën, ashtu edhe atyre që kanë dëgjuar vetëm historinë se si ajo u vra nga një plumb që nuk ishte nisur për të.
Flet shoqja e plagosur: Plumbi s’ishte për Sonilën
“Jam e shokuar. Besoj se kurrë nuk do ta marr veten dhe jeta ime nuk do të jetë më njësoj këtej e tutje”. Me këto fjalë e ndërpret bisedën herë pas here Romina Kaso, dëshmitarja e ngjarjes së mëngjesit të hershëm të 6 prillit, ku mbeti e vrarë mikja e saj e fëmijërisë, 26-vjeçarja Sonila Tafa.
Vetë Romina është “prekur” shkarazi nga një plumb, por është jashtë rrezikut për jetën. Të dyja vajzat kanë qenë bashkë që në klasë të parë dhe përveçse afër me shtëpi, ndoqën të njëjtin profesion, balerina. Mbaruan Akademinë e Arteve për Koreografi dhe ndërsa Romina filloi si balerinë në TV Klan, Sonila nuk arriti do të kishte një punë fikse.
Herë pas here realizonte koreografi të projekteve private, por edhe 3 vite pas mbarimit të Akademisë nuk kishte mundur dot të stabilizohej me punë. Të premten mbrëma ajo doli për t’u argëtuar me një grup miqsh, për të mos u kthyer më. Se çfarë ndodhi në të vërtetë e sqaron vetë Romina Kaso për gazetën “Panorama”:
Ngushëllime për kolegen! Sa kohë kishit që njiheshit me Sonilën?
Unë nuk e kisha thjesht kolege. E kisha shoqe fëmijërie, mike zemre. E njoh që në klasë të parë dhe kemi rrugëtuar bashkë edhe në profesion. Kemi mbaruar të dyja Akademinë e Arteve për Koreografi. Pra kam një jetë që e njoh, jam rritur me Sonilën.
A punonte Sonila?
Herë pas here realizonte koreografi të projekteve private, por nuk pati mundur dot të stabilizohej me punë.
Me koreografi private do të thotë që punonte edhe në club-e nate si balerinë?
Sonila ishte balerinë profesioniste. Sonila ka marrë diplomën për koreografi, mos e ngatërroni artin e vërtetë me striptizmin. Sonila iku nga kjo botë, por mos ia shëmtoni edhe vdekjen. Sonila asnjëherë nuk ka punuar nëpër club-e nate. Madje, jam shumë e revoltuar nga çfarë është thënë pas vrasjes së Sonilës. Nuk e di nga kanë dalë ato informacione, por janë krejt të pasakta.
E saktë apo e pasaktë që Sonila punonte si balerinë natën e vrasjes te night-club “Dream City”?
Jua thashë që jo. Krejt e pasaktë.
Atëherë si e shpjegoni prezencën e saj në atë pub?
Prezenca e saj aty, apo edhe prezenca ime, shpjegohet ashtu si prezenca e dhjetëra personave të tjerë; kishim dalë me shoqërinë për t’u argëtuar. Ishte fundjavë, u bëmë shtatë veta, miq të hershëm me njëritjetrin dhe shkuam të kalojmë fundjavën. Ajo që na ndodhi ne, mund t’i ndodhte çdokujt. Ishte tersi vetë. Veç nuk ia uroj as hasmit.
Sonila ishte e martuar. E kishte marrë ajo të shoqin me vete?
Jo, jo, ju thashë që ishim miq të hershëm. Askush nuk kishte marrë partnerë me vete. Kishim kohë pa dalë si shoqëri “e vjetër” dhe të premten vendosëm të bëheshim së bashku.





