Një shtetas shqiptar ndodhet në gjendje kome, pasi është qëlluar me plumb në kokë nga forcat italiane të rendit. Shtypi vendas raporton se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes, në komunën Monte San Giusto në provincën e Maceratës.
Punonjësit e policisë italiane kanë deklaruar se 30-vjeçari po udhëtonte me një automjet tip “Fiat Bravo” të vjedhur, kur është ndaluar nga forcat e rendit.
Shqiptari nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar, e në tentativën për t’u larguar është goditur me plumb në kokë nga njëri prej tyre.
Ndërkohë në lidhje me gjendjen e tij shëndetësore, mjekët italianë janë shprehur se 30-vjeçari është klinikisht i vdekur. Ata kanë shtuar se është ë pamundur që të operohet për t’i hequr plumbin në kokë.
Policia italiane ende nuk ka identifikuar të plagosurin, edhe pse deklarojnë se është me origjinë shqiptare. Madje ato kanë shtuar se gjatë qëndrimit në Itali ai ka përdorur disa emra të ndryshëm.
Ndërkohë gjatë kontrollit në automjetin e shqiptarit, janë gjetur disa instrumente që përdoren për të grabitur banesa si dhe disa bizhuteri.
Kanë qenë banorët e zonës në rrugën Don Minzoni të komunës Monte San Giusto, të cilët kanë lajmëruar gjatë mbrëmjes së shkuar, për disa grabitje apartamentesh në këtë zonë.
Autoritetet italiane po hetojnë në dy pista, atë të grabitjes e të goditjes me armë nga ana e forcat të rendit. Ndaj kësaj të fundit, punonjësit e policisë italiane mund të akuzohen për vrasje.





