* Asnjë prej drejtuesve të njësive vendore, nuk figuron i armatosur të paktën për policinë e qarkut të Durrësit

3 nëntor 2015 – Komisariati i policisë së Krujës ka dhënë detaje në lidhje me humbjen e vulës së bashkisë, nga ana e kryebashkiakut të Krujës Artur Bushi, i cili para një muaji ka denoncuar në polici humbjen e një çante me sende personale.

“Më kanë humbur vula personale si kryetar bashkie, të gjitha dokumentet personale, përfshirë këtu dokumente italiane, lejen e qëndrimit, karta e identitetit, leja e qarkullimit, patenta, dhe dokumente të tjera. Në çantë gjendej dhe një sasi e vogël parash. Nuk e di ku kanë humbur, dyshoj në një pikë lavazhi në Tiranë, ku kisha qëndruar për të larë makinën. Nuk e mbaj mend me saktësi se mund ta kenë vjedhur apo mund ta kem harruar”, ka thënë kreu i bashkisë së Krujës.  

Pas denoncimit të tij, policia e ka përcjellë materialin në Prokurorinë e rrethit të Krujës për hetime të mëtejshme. Po kështu policia ka sqaruar edhe një çështje tjetër të përmendur në media. Bushi nuk ka pasur armë me vete, ia kish marrë policia pak ditë para se t’i humbiste vula. Asnjë prej drejtuesve të njësive vendore, nuk figuron i armatosur të paktën për policinë e qarkut të Durrësit. I fundit që ka dorëzuar armën ishte ish-kreu i komunës Cudhi, Xhevahir Bilja, pas kërkesës me shkrim që u dërgua nga shefat e komisariateve të qarkut.

“Kreu i bashkisë së Krujës Artur Bushi, e ka dorëzuar armën që ka pasur me leje, dhe kjo armë është dorëzuar në policinë e komisariatit të Krujës, në të njëjtën kohë me krerë të tjerë të njësive vendore. I fundit që e dorëzoi armën ishte kreu i komunës Cudhi, Xhevahir Bilja, pasi në momentin që u kërkua nga policia dorëzimi i armëve që mbanin me leje, ai ndodhej në Gjermani”, pohuan burimet policore.

/K.H. portali DurresLajm/