Në kuadër të festave të fundvitit policia është duke kryer kontrolle për tregtimin e paligjshëm të fishekzjarrëve.
Një prej pikave të kontrollit të efektivëve të komisariatit nr. 4 ishte pranë tregut të Medresesë, aty ku shiten zbukurime për festa. Në disa prej subjekteve pranë këtij tregu punonjësit e policisë kryen kontrolle me dyshimin e tregtimit të lëndëve piroteknike.
Pas verifikimeve në terren, policia nuk konstatoi biznese që shesin lëndë piroteknike. Fishekzjarre që shiten në mënyrë të paligjshme u konstatuan gjatë ditëve të fundit në Tiranë dhe Korçë, për të cilët u proceduan penalisht poseduesit e tyre.
Në kryeqytet, policia ka kryer kontrolle edhe pranë depove që janë të licencuara për shitjen e fishekzjarrëve. Kontrollet pranë këtyre pikave u kryen nëse kanë kryer shitje brenda rregullave që parashikon ligji.
Referuar rregullave, shitja e fishekzjarrëve tek personat që autorizohen nga njësitë vendore, kryhet nga data 15 Dhjetor deri më 1 Janar. Ndërsa hedhja e tyre lejohet prej kësaj të premte, me datë 27 deri të mërkurën e ardhshme më 1 Janar.
Ashtu si vitet e shkuara, hedhja e fishekzjarrëve natën e ndërrimit të viteve në sheshet kryesore do të bëhet në mënyrë të organizuar nga Bashkitë.