14 dhjetor 2014 – Vetëm gjatë kësaj jave në pikat e kontroll kalimit të kufirit në Portin e Barit e të Brindizit, në Aeroportin Bari-Paleze, në Aeroportin e Pizas etj., janë kapur disa persona në kërkim (madje edhe në kërkim ndërkombëtar) të nisur nga Portet e Durrësit dhe të Vlorës, si edhe nga Aeroporti “Nënë Tereza” i Rinasit. Këta persona në kërkim janë shtetas shqiptarë, serbë e italianë.
I njëjti problem me vërshim pasagjerësh, me dokumente udhëtimi problematike nga Rinasi është edhe për policitë kufitare (emigration) në Angli dhe Gjermani (Aeroporti i Frankfurtit). Në Durrës ekziston shprehja: Është bërë si hani i Dalip Bidulit, d.mth. hyn e del kujt i do qefi. Nuk e merr vesh i pari të dytin etj.etj.
Rasti më i fundit ishte kapja nga policia kufitare italiane e Cosimo Genchi-t, 42 vjeç i shpallur në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në organizatë kriminale të tipit mafioz.
Cosimo është anëtar i klanit kriminal barez të quajtur Di Kozola (Cosola). Te sinjalizuar nga finacierët italianë të stacionuar në Shqipëri policia kufitare italiane në bashkëpunim me finacierët e Barit e arrestoi Cosimo-n sapo zbriti nga Trageti Red Star i Linjës Vlorë-Brindizi. Cosimo kishte vënë foton e vet në kartën e identitetit të vëllait për të udhëtuar për në Shqipëri në kuadrin e bashkëpunimit me malavitën shqiptare.
Ambasadori angez, ai gjerman si edhe DCM Jardine i Ambasadës Amerikane kanë inspektuar herë pas here ambjentet dhe aparaturat moderne të PKKK-ve të policisë shqiptare në kuadrin e ndihmës së dhënë Shqipërisë nga aleatët euro-atlantikë për kontrollin e kufijve. Këta aleatë gratis kanë bërë edhe dhjetra kurse trajnimi me pjesëmarrjen e qindra policëve e doganierëve pikërisht, që Shqipëria të ketë kufij sa më të sigurtë. Aparaturat po ashtu janë ndër më modernet, në këtë fushë dhe përsëri kufijtë e Shqipërisë janë si shoshat e arrixheshkave, ku kalojnë madje edhe persona në kërkim ndërkombëtar, emri i të cilëve prej kohësh është i regjistruar në kompjuterat e PKKK-ve shqiptare. Meqenëse kjo qeveri quhet Qeveria e Rilindjes, po i citoj Rilindasve të shekullit XXI vargjet nga Histori e Skënderbeut e shkruar nga Naim Frashëri, një rilindas I shekullit XIX:
“Nuk është palla hekuri i dheut, por krahu i fortë i Skënderbeut.” Kontrolli në PKkK-të shqiptare nuk vuan nga “palla”, mungesa e pajisjeve moderne, por nga “krahu i fortë” d.m.th. nga vullneti politik i rilindasve në pushtet, për t’i kontrolluar kufijtë e për të mos e shndërruar Shqipërinë në burim telashesh për agjencitë ligjzbatuese të aleatëve tanë euro-atlantikë.
/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah/





