Policët e qarkullimit, ata që torturohen nga shteti dhe për kompensim torturojnë shoferët, deri në pikën e fundit të gjakut.
Këto ditë në Durrës, trafiku ka arritur kulmin e mbingarkesës, duke bërë që të gjithë policët e qarkullimit rrugor të jenë nga 12 orë në rrugë. Disa forca policie kanë mbërritur nga Kosova në ndihmë të rrugorëve të Durrësit të shpërndarë në çdo kryqëzim rruge. 12 orë në punë, dhe një pjesë e ndershme e këtyre policëve edhe bukën e marrin me vete. Janë ajo pakicë punonjësish policie që bëjnë dallimin, nga pjesa tjetër e arrogantëve, gjobvënësve, të korruptuarve, atyre që e mbajnë punën me të gjitha mënyrat e këqija. Me dhjetëra e qindra leje drejtimi po pezullohen këtë sezon veror në Durrës, në masë, për të gjithë drejtuesit, për të shmangur aksidentet rrugore (kjo është gjë e mirë). Por e gjithë kjo masë shoferësh e penalizuar, a ka të drejtë të ngrejë zërin dhe ku?
Në rrugë
Policët e qarkullimit në rrugë pothuajse njihen të gjithë nga shoferët për shkak edhe të vjetërisë së tyre në punë. Të rinjtë më së shumti bëjnë arrogantin, aty ku e shikojnë që timonieri është më i dobët se ata. Kur automjeti që ndalojnë i përket iks apo ypsilon personi, zëri i policit zbutet, ëmbëlsohet, ngjyroset, sheqeroset, apo edhe egërsohet, zvarritet, shtrëngohet, në varësi të tij që është në timon. Nëse në timon janë persona publikë, apo të fortë, polici, vetëm përshëndet e saluton. Nëse në timon është ndonjë qyqar, mjerë ai! Edhe nëse i ka të gjithë dokumentet, apo largqoftë që t’i mungojë ndonjë, do heqë picirrin e zi! “Do t'i sekuestrojnë dokumentet, do e dërgojnë pas 3, 4 apo 5 ditësh të dalë në komisionin disiplinor ( atu ku allishverishi, është sa një buall), dhe mjerë ky qytetar çdo heqë deri në fund. Nëse qytetari përfshihet në një aksident pa pasoja, (pa llogaritur më rëndë), polici i qarkullimit rrugor, këtij qytetari dhe emigrantit, i kapardiset si gjel fillimisht. Arroganca e tij dhe “uni” prej polici të vrazhdë kanë arritur majën. Qytetari jo vetëm që duhet të heshtë, por edhe të durojë, para autoritetit të policit, që i tregon nëpër dhëmbë, të gjitha nenet që ka mësuar, por që realisht as alfabetin nuk e di, po ta marrin në pyetje ky polic arrogant e delenxhi.
Dalja në komision, varet sa para jep, për të mos bllokuar lejen e drejtimit, dhe ulur gjobën
Shoferit i hiqet leja e drejtimit në rrugë nga një patrullë police, apo nga një shërbim policor kurdo ku mund të ndodhet pas një kontrolli rutinë. I mbahen dokumentet e automjetit, dërgohet në komisionin disiplinor, dhe kur del në komision, varet nga sa para i ka dhënë punonjësve që kanë në dorë, të vendosin masën administrative, sipas qejfit të tyre, dhe pezullimin për sa muaj ose jo, të lejes së drejtimit të automjetit. Kjo varet edhe nga humori i punonjësve të komisionit, të cilët në rastet kur qytetari reagon ndaj padrejtësisë, i tregojnë nenet e Kushtetutës, dhe një të sharë nga nëna nga pas. Është fare e thjeshtë, janë qytetarë të shumtë që e provojnë këtë në kurrizin e tyre çdo ditë në dyert e policisë aty ku merren edhe pasaportat biometrike. Është për të ulëritur me të madhe, se çfarë punonjësish policie janë në këto detyra, ata që duhet të presin popullin, e ta përcjellin, sepse rrogat i marrin po nga taksat që paguan ky popull. Por kjo pjesë e policisë “rrufjanët”, duke nisur nga komisioni nuk e dinë nëse merret apo jo rrogë kur je në një vend të tillë pune. Është mirë t’u verifikohen llogaritë bankare, që nga punonjësi i thjeshtë i policisë e deri te komisioni lart apo edhe më lart akoma, sepse shumë syresh nuk e tërheqin fare pagën nga bankomati për muaj me radhë.
Polici mjerane
Punonjësit e ndershëm i gëzohen vetëm pagës, dhe bukës me vete, por ata kanë hasur në një problem të madh sidomos javët e fundit. Nëse makina e shërbimit, e policisë ose motori, iu defektohet në rrugë, urdhri nga shefat është që duhet ta riparojnë me të ardhurat e tyre, ndërsa karburanti iu numërohet me pikatore për çdo ditë. Asnjë shërbim nuk kanë marrë për orët shtesë, dhe askush deri tani nuk ju ka mbajtur asnjë shënim për orët shtesë, të punës në rrugë (nga 4 për çdo ditë).
Në rrugë janë edhe policët e Kosovës të cilët kanë ndarë eksperiencën me homologët e këtej kufirit. Sipas tyre, paga mujore është 500 Euro. Për çdo orë jashtë orari, paguhen 10 Euro për orë. Nëse në një aktivitet publik, kërkohet shërbimi policor, apo nëse në një investim publik që kryhet duhet shërbimi policor në rrugë, pagesa është 10 Euro për çdo orë ekstra. Ndërsa për makinat që udhëtojnë me ligj është që serbatori i karburantit të makinës duhet të mbushet në çdo pikë karburanti më të afër që gjendet. Asnjëherë shigjeta treguese e karburantit nuk duhet të jetë poshtë minimumit prej 50%. Vetëm kaq mjafton që të krahasohen dy policitë e qarkullimit rrugor, të kufirit Shqipëri- Kosovë.
Një gjë është e sigurt dhe fakt i pamohueshëm, që policët e Shqipërisë, pagesat ekstra nga shteti nuk marrin, në punë mbahen nga 12 orë, të ndershmit marrin bukë me vete, ndërsa të tjerët ia fusin sa më shumë popullit. Kryeministri para pak javësh tha se kanë marrë fund kohët kur makinat e policisë mbusheshin me bidonë. Ndoshta tani nuk mbushen me bidonë, por bidonët po i kërcasin popullit në kokë.
*Opinion i shkruar nga një qytetar i Durrësit





