Policia e Krujës ka bërë të mundur zbardhjen e një ngjarjeje të ndodhur disa muaj më parë në Fushë-Krujë.
Efektivat e Komisariatit të Policisë Krujë kanë bërë të mundur kapjen e shtetasit në kërkim Dolfi (Rudolf) Dobrozi, 29 vjeç, banues në Krujë.
Dobrozi është shpallur në kërkim më datë 28.02.2016, pasi rreth orës 01:40, në fshatin Bilaj, Fushë-Krujë në ambientet e një lokali, pasi ka konsumuar pije alkoolike është konfliktuar për motive pronësie me kushëririn e tij, shtetasin Dritan Bodrozi, 43 vjeç.
Më pas shtetasi Rudolf Dobrozi ka marrë një armë zjarri automatik dhe ka qëlluar në drejtim të banesës së shtetasit Dritan Dobrozi.
Fatmirësisht nuk ka pasur persona të dëmtuar.
Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale 2 gëzhoja dhe një predhë e paplasur.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë me Vendimin Penal Nr.88, dt.18.03.2016 ka caktuar masën e sigurisë "Arrest me burg" për veprën penale “Vrasje me dashje" e mbetur në tentativë dhe "Mbajtje pa leje te armëve luftarake" parashikuar në nenet 76, 22 dhe 278 të Kodit Penal.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme.





