Policia e Kosovës, ka konfirmuar se ka ndaluar dhe shoqëruar për në stacionin e Leposaviçit, Aleksandar Jabllanoviçin, aktualisht kryetar i Partisë së Serbëve të Kosovës, parti kjo që garon në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit.

Arrestimi i Jabllanoviçit ka pasuar përfshirjen e tij në një zënkë, me këtë rast është thirrur policia, e cila pas kontrollit ka gjetur një armë zjarri te Jabllanoviçi, si dhe është konfirmuar se ai ishte edhe nën ndikimin e alkoolit.

Jabllanoviç është shoqëruar në polici bashkë me bashkëshorten e tij, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë,zëvendëskomandanti i policisë për veriun e Kosovës, Besim Hoti.

Aleksandar Jabllanoviç ka qenë për disa muaj ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë në largim të Kosovës, por më pas ishte shkarkuar.

Ai ishte edhe njëri prej themeluesve të Listës Serbe, por e cila nuk e njeh më atë si kryetar, andaj në zgjedhjet e 11 qershorit, kishte vendosur të garoj me një subjekt të ri politik, me emrin Partia e Serbëve të Kosovës. /REL/