Policia ka nisur një aksion masiv në të gjithë vendin, në luftën kundër kanabisit, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve të reja.
Operacioni vjen në zbatim të Planit të Veprimit të ardhur nga ministri i Brendshëm për evidentimin dhe shkatërrimin e farishteve, kubikëve që mund të kultivojnë bimë narkotike, të sekuestrimit të farave cannabis sativa.
Sipas të dhënave zyrtare, në operacion janë angazhuar 3100 punonjës policie në të gjithë vendin.
Në grupet e monitorimit janë përfshirë drejtues të Policise së Shtetit si dhe të SHÇBA-së, ndërsa në grupet e kontrollit specialistët e policisë së zonës, patrulla të përgjithshme si dhe kryetarët e fshatrave.
Kontrollet e policisë janë përqendruar në sera, farishte, ish-depot e ushtrisë, tunele e banesa të braktisura.
Policia thotë se kontrollet më pas do vijojnë në ambiente të hapura, në ambiente banesash mbi bazë informacionesh që po grumbullon policia.





