3100 forca policore janë angazhuar në një operacion masiv dy ditor për të parandaluar kultivimin e fidanëve dhe bimëve të kanabisit në sera diellore, tunele të braktisura, ish-rezerva shtetërore dhe në çdo ambient tjetër të mundshëm që mund të përdoret nga grupet kriminale.
Operacioni masiv dy ditor i nisur mëngjesin e 22 shkurtit dhe i përfunduar në orën 19:00 të datës 23, ishte në shkallë vendi dhe policia informon se janë ushtruar 6901 kontrolle gjithsej.
Bilanci
Janë kontrolluar 5113 sera, 235 tunele, 692 ish-rezerva dhe magazina shtetërore, 314 ish-reparte ushtarake, 258 banesa të pabanuara dhe 286 objekte të ndryshme.
Policia në bashkëpunim me kryetarët e fshatrave ushtruan kontrolle në sera, stalla, shtëpi të braktisura pasi mund të jenë vendet e mundshme për kultivimin e fidanëve të bimëve narkotike.
Kontrollet u ushtruan edhe në të gjitha tunelet e braktisura të ushtrisë, të ish-rezervave të shtetit, si dhe në ambiente të tjera për të cilat disponoheshin informacione apo kishte dyshime se mund të përdoren për të kultivuar bimë narkotike në kubikë e fidanë.
Policia nuk jep detaje nëse janë gjetur apo jo fidanë të mbjellur, apo fara kanabisi.





