Policia e Durrësit nis procedim penal ndaj kreut të Partisë Demokratike, dega Durrës, Ferdinand Xhaferaj.
Në një njoftim për shtyp të pak minutave më parë, policia bëri të ditur se ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për dy shtetas, aktorin dhe regjisorin Robert Budina dhe kreun e PD Ferdinand Xhaferaj.
Në një komunikim me DurrësLajm, Xhaferaj deklaroi se nuk kishte dijeni që ndaj tij të kishte nisur procedim penal.
“Unë isha pjesëmarrës në atë tubim të thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Nuk e organizova atë tubim, as nuk mora fjalën në podium. Nuk kam dijeni për nisjen e procedimit penal. Askush nuk ka komunikuar me mua dhe nuk e kuptoj arsyen e këtij procedimi”,– tha Xhaferaj.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit zhvilloi pasditen e sotme një protestë në sheshin kryesor të Durrësit. Peticioni që nisi të firmosej ditën e mërkurë gjatë protestës në Tiranë, u firmos sot nga qindra qytetarë durrsakë që ishin mbledhur në shesh në mbështetje të kauzës së artistëve. Bashkë me qytetarët ishin edhe shumë përfaqësues nga Partia Demokratike, dega Durrës, që e kanë mbështetur këtë protestë edhe në kryeqytet.





