Kosovë, 22 qershor 2014 – Policia e Kosovës po vazhdon të mos lejojë protestuesit t’i afrohen urës së Ibrit, ndërsa një grup protestuesish po provon të depërtojë tek ura. Njësia Speciale është duke gjuajtur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve. Ndërkohë, Njësia Speciale e EULEX-it dhe KFOR-i janë në gjendje gatishmërie për të mos lejuar depërtimin e protestuesve të ura e Ibrit, raporton express.
Në përleshje me protestuesit një polic i Njësisë Speciale është lënduar, pasi është qëlluar me gur.
Protestuesit e mbledhur pata urës së Ibrit janë duke brohoritur shkoni në veri dhe po tentojnë ta thyejnë kordonin e policisë.
Aktualisht, rreth 20 pjesëtarë të Njësisë speciale janë duke qëndruar në mes të turmës.
Protesta e paralajmëruar ka nisur nga stacioni i policisë që është larg urës së Ibrit rreth një kilometër. “S’duam park. Duam urë” është motoja e kësaj proteste. Megjithatë numri i protestuesve është rritur gjatë rrugës.
Policët e Kosovës kanë marrë urdhrin për largimin e të gjithë qytetareve te mbledhur mbi urë në Mitrovicë. Aktualisht asnjë qytetar nuk është mbi lumin Ibër.





