Pas marshimit që patën tek AKSHI-t, në atë që njihet si kopshti privat i Edi Ramës, për nga korrupsioni i pamasë që kryeministri Edi Rama bën, protestuesit kanë vijuar përgjatë rrugës së Elbasanit, ku janë drejtuar për nga Parlamenti.
Por ka qenë policia e cila e mobilizuar u ka zënë pritë protestuesve dhe ka hedhur gaz lotsjellës, molotov dhe ujë drejt tyre, duke mos i lejuar të shkojnë drejt Kuvendit.
Ka qenë edhe sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka i cili u ka kërkuar punonjësve të policisë të mos prekin protestuesit dhe të mos i provokojnë ato, por këta të fundit nuk kanë ngurruar t’i dhunojnë me gaz e molotov si dhe ujë.
“Do vijë ditë, do vijë. Jeni shndërruar në një bandë. Pse funksiononi si bandë, nuk funksiononi si institucion kushtetues.
Keni marrë urdhër, keni goditur direkt në sy liderin e opozitës. Jo të gjithë ju, po një nga ju. E kemi të filmuar, do e paguani.
Do ta paguani shtrenjtë. Nuk jeni shërbëtorë të ligjit, jeni mercenarë të krimit të organizuar. Atij i shërbeni. Nuk e ka të gjatë sepse nuk mund të rrijë më ky kriminel në krye të qeverisë.
Hoqët një narkotrafikant, keni vënë një vrasës politik në krye të policisë sot.
Ndaj mos merrni urdhra prej tyre sepse gjithsecili prej jush ka familje. Edhe juve taksa Rama 2200 u ka shkuar, jo vetëm qytetarëve të thjeshtë.
Edhe për ju çmimet e ushqimeve kanë shkuar në ekstrem. Ndaj mos u bëni mercenarë”, iu drejtua Noka efektivëve të policisë.
Molotovët, gazi lotsjellës dhe uji nuk ka kursyer as deputetët e PD, Luçiano Boçi dhe Xhelal Mziu, të cilët janë qëlluar me shkopinj gome nga punonjësit e Policisë së Shtetit, duke i dhunuar ata forcërisht.





