Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për të kapur grabitësit, të cilët e kanë sofistikuar mjaft aktivitetin e tyre kriminal. Sipas statistikave të efektivave të rendit në dosjet e policisë rezultojnë 85 hajdutë profesionistë në Durrës, 50% e tyre janë të mitur. Këta shtetas janë përfshirë në kryerjen e 70 vjedhjeve nga të cilat: 19 lokale,21 banesa, 3 automjete dhe 27 vjedhje të tjera si grabitje çantash dore, telefonash celularë, vjedhje materialesh hekuri për skrap etj. Një fakt tjetër interesant që del nga statistikat është se pjesa dërrmuese e grabitësve janë nga qyteti i Durrësit. Kështu 75 hajdutë rezultojnë banorë të qytetit tonë, 9 të tjerë janë banorë të Tiranës, ndërkohë që një nga grabitësit është shtetas maqedon.
Në bazë të dosjeve që policia ka krijuar për secilin prej tyre rreth 25 grabitës e kanë kryer këtë vepër penale për të disatën herë. Referuar hartografisë së vjedhjeve, zona më problematike paraqitet lagja Nr.13 Plazh, me vjedhjen e apartamenteve të pabanuara gjatë dimrit. Për të parandaluar valën e grabitjeve policia e Durrësit i bën apel qytetarëve që të denoncojnë pranë forcave të rendit çdo informacion që mund të kenë në lidhje me grabitës të ndryshëm, për të bërë të mundur ndalimin e tyre.