9 drejtues mjetesh janë arrestuar nga policia gjatë 24 orëve, nga të cilët 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 3 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë pezulluar 46 leje drejtimi, nga të cilat 26 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 15 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 5 për qarkullim në sens të kundërt.

Po gjatë 24 orëve të fundit janë ndëshkuar me masë administrative 1666 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Në autostradën Levan-Vlorë, nga Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, gjatë monitorimit me radar, është konstatuar mjeti tip “Audi” që drejtohej nga shtetasi K. M., 21 vjeç,  i cili qarkullonte me shpejtësi 167 km/h. Gjatë verifikimit të dokumentacionit rezultoi se 21-vjeçari drejtonte mjetin pa leje drejtimi përkatëse, duke përdorur një patentë të falsifikuar. Ky drejtues mjeti është proceduar penalisht dhe është ndëshkuar me masë administrative.

Në rrugën interurbane Tuneli i Krrabës-Tiranë, gjatë monitorimit me radar nga Policia Rrugore e Tiranë është konstatuar mjeti tip “Benz”, me drejtues shtetasin D. G., 27 vjeç, banues në Tiranë, i cili qarkullonte me shpejtësi 165 km/h. Ky drejtues mjeti është ndëshkuar me masë administrative 15.000 lekë të rinj, pezullim të lejes së drejtimit 3 muaj dhe zbritje 3 pikë nga leja e drejtimit.

Po nga Policia Rrugore e Tiranës, gjatë kontrolleve parandaluese, në bulevardin “Zhan D’ark”, është konstatuar shtetasi Xh. N., 21 vjeç, që drejtonte automjetin pa vendosur rripin e sigurisë. Gjatë kryerjes së veprimeve policore, 21-vjeçari i ka ofruar punonjësit të Policisë 2000 lekë, me qëllim shmangien e ndëshkimit për shkeljen e kryer. Ky drejtues mjeti u arrestua në flagrancë për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.