Nis gjobitja e këmbësorëve që nuk respektojnë Kodin Rrugor. Policia Rrugore e Durrësit ka nisur këtë fillim vit gjobitjen e qytetarëve që nuk respektojnë vijat e bardha.

“Plani i masave ka si qëllim ndërgjegjësimin e këmbësorëve për të respektuar Kodin Rrugor në mënyrë që të shmangen aksidentet që shkaktohen nga qytetarët, që nuk kalojnë karrexhatën në vendin e përcaktuar për ta”,- thotë Miludjan Çaçellari, specialist i trafikut urban dhe interurban në Durrës.

Këmbësorët ndëshkohen me masë administrative në vlerën 1000 lekë, të cilën mund ta paguajnë menjëherë, apo në zyrat përkatëse të policisë.

Gjatë inspektimeve të Policisë Rrugore tek rruga “Adria” nuk munguan edhe gjobat e para për këmbësorët. “Të ndëshkuarit” nuk kanë ngritur pretendime për gjobën e marrë, si dhe kanë pranuar se ishin në shkelje të Kodit Rrugor.

Aksi “Adria” është një nga rrugët ku pavarësisht se janë vendosur semafori dhe vijat e bardha, qytetarët vazhdojnë të kalojnë nga njëra anë e rrugës në tjetrën, pa i respektuar.

Grupet në terren të Policisë Rrugore, në ditët në vijim, do të ndërmarrin masa ndëshkuese ndaj qytetarëve, që nuk respektojnë Kodin Rrugor.

Përveç kontrollove të shtuara për këmbësorët, në ditët në vijim pritet  të intensifikohen akoma më shumë masat administrative në drejtim të parandalimit dhe ndëshkimit të atyre drejtuesve të automjeteve, që nuk respektojnë të drejtën e këmbësorëve në vijat e bardha, apo ku mungojnë vijat e bardha dhe semaforët nuk i japin përparësi kalimit të këmbësorëve bëjnë me dije specialistët e qarkullimit rrugor në Durrës.