Dy drejtuesit e aksidenteve me vdekje të regjistruar ditën e enjte në qarkun e Durrësit kanë përfunduar pas hekurave.
Policia bën me dije se ka vënë në pranga 36-vjeçarin I.D. banues në Rreth, që aksidentoi për vdekje një shtetas tek “4 rrugët e Shijakut” si dhe 47-vjeçarin nga Tirana D.V. që u bë shkaktar i aksidentit me vdekje ku ndërroi jeta një 56-vjeçare nga Fushë-Kruja.
Njëkohësisht në pranga ka përfunduar një tjetër drejtues mjeti, që është kapur ndërsa udhëtonte i dehur.
Një aksident tjetër që është regjistruar në aksin Manzë-Sukth, po gjatë ditës së enjte fatmirësisht është mbyllur vetëm me një person të lënduar lehtë. Ndërkohë ka nisur procedimi penal për drejtuesin e mjetit.
Njoftimi i policisë:
- Më datë 23.11.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi I. D., vjeç 36, banues në fshatin Rreth, pasi në segmentin rrugor “Katër rrugët e Shijakut” duke drejtuar mjetin ka aksidentuar me pasojë vdekjen biçiklistin, shtetasin A. K., vjeç 50, banues në Rreth, Shijak. Neni 290/3 i Kodit Penal.
- Më datë 22.11.2018, u arrestuan në flagrancë shtetasi D. V., vjeç 47, banues në Tiranë, pasi te kryqëzimi i fshatit Hasan, duke drejtuar mjetin ka aksidentuar me pasojë vdekjen shtetasen Sh. K., vjeçe 56, banuese në Fushë Krujë. Neni 290/3 i Kodit Penal.
- Më datë 23.11.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi F. B., vjeç 49, banues në Durrës, pasi në në rrugën “Ura e Dajlanit- Plepa”, u kap duke drejtuar nën efektin e pijes alkoolike, mjetin. Neni 291 i Kodit Penal.
- Më datë 22.11.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për shtetasin D. A., vjeç 22, banues në fshatin Kullë, në aksin rrugor “Manzë- Sukth”, duke drejtuar mjetin ka aksidentuar biçiklistin, shtetasin E. K., vjeç 31, banues në Sukth, i cili pasi mori mjekim në spital u largua për në banesë. Neni 290/1 i Kodit Penal.





