Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar monitorimin e qarkullimit me radarë e alkooltestues në rrugën interurbane Tiranë – Elbasan si dhe Tiranë – Durrës.
Kontrolle janë zhvilluar në orët e mbrëmjes në aksin në unazën lindore Farkë-TEG dhe Sauk-TEG, për të parandaluar shpejtësinë tej normave të lejuara dhe drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Gjatë monitorimit, policia ka arrestuar 4 shoferë të dehur, si dhe ka konstatuar dhjetëra raste me shpejtësi tej normave.
Si rezultat i monitorimit me radar në aksin Farkë-TEG e Sauk-TEG, Policia Rrugore konstatoi 18 raste të shpejtësisë tej normave të lejuara, që varionin 131 km/h deri në 169 km/h. Drejtuesve të automjeteve iu pezullua leja e drejtimit nga 2 muaj deri në 10 muaj, pasi disa prej tyre ishin shkelës të disa rregullave të ndryshme të qarkullimit rrugor.
Gjithashtu, u konstatuan dhe 30 raste me shpejtësi nga 118 km/h deri në 127 km/h. Drejtuesit e mjeteve u ndëshkuan me masë administrative 2.000 lekë deri në 4.000 lekë të rinj secili.
Arrestohen 4 shoferë të dehur
Nga monitorimi me alkooltestues, në të gjitha rrugët e Tiranës janë evidentuar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës 4 drejtues mjetesh, në gjendje të dehur.
Gjithashtu, janë pezulluar 12 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, si dhe janë vendosur 15 masa administrative me vlerë nga nga 5.000 lekë deri në 15.000 lekë të rinj, për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.
Policia e Shtetit apelon për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, pasi të gjitha rrugët nacionale dhe urbane në të gjithë vendin, janë të monitoruara me patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore, duke përdorur radarë, dragera, dronë, makina të paloguara, kamera e aparate fotografike.