Policia Rrugore e Tiranës paralajmëroi sot drejtuesit e mjeteve për penalitetet në rast parkimi të gabuar.

Përmes një njoftimi për shtyp, Policia Rrugore bëri të ditur se drejtuesit e mjeteve do të ndëshkohen me masë administrative për parkim të gabuar, me masë për ngritjen me mjet ngritës dhe për qëndrimin në pikën e bllokimit.

Policia Rrugore është pajisur me dy mjete të reja, karrotrec dhe platformë ngritëse, me qëllim heqjen e automjeteve të parkuara gabim. Mjetet e reja do të ndikojnë në lehtësimin e punës dhe në garantimin e lëvizjes së lirë e të sigurt të automjeteve, si dhe në përmirësimin e qarkullimit rrugor në kryeqytet.

Në këtë drejtim, Policia Rrugore e Tiranës u bën thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

Duke apeluar për kujdes të shtuar gjatë drejtimit të automjeteve dhe parkimit të tyre, Policia Rrugore bën thirrje që të mos pengohet lëvizja e këmbësorëve, personave me aftësi të kufizuara dhe mjeteve të emergjencës dhe të mos parkojnë në kryqëzime, mbi trotuare apo përpara hyrje-daljeve të institucioneve dhe banesave, pasi do të hiqen me mjetet ngritëse dhe do të dërgohen në pikën e bllokimit.

Policia Rrugore fton përdoruesit e rrugës të bashkëpunojnë me shërbimet e Policisë për një qarkullim sa më të rregullt dhe të sigurt për të gjithë.