Policia franceze shkatërroi me dhunë një kamp të improvizuar të emigrantëve duke u përplasur me ta dhe aktivistët që i mbështesnin.
Ngjarja ndodhi natën e kaluar në Paris, ku dhjetëra çadra të vogla dhe më shumë se 2000 persona u larguan nga “Place de la République” në mënyrë të dhunshme nga policia franceze.
Menjëherë ka ardhur edhe reagimi i Ministrit të Brendshëm francez Gérald Darmanin, i cili përmes një postimi në Twitter është shprehur se disa nga skenat ishin “tronditëse” dhe urdhëroi policinë të siguronte një raport të plotë mbi veprimet e tyre.
Bashkë me emigrantët ishin bashkuar edhe vullnetarë vendas, të cilët brohorisnin “letra për të gjithë, strehim për të gjithë”, ndërkohë që policia filloi të përdorë gaz lotsjellës dhe dhunë fizike kundrejtë tyre.
Kampi i ri i shkatërruar mbrëmë në Paris, ishte ngritur 1 javë pasi policia kishte shpërbërë edhe një kamp tjetër më të madh të paligjshëm të emigrantëve, pranë stadiumit kombëtar francez të sporteve në Parisin verior.
Emigrimi masiv nga Mesdheu, i nxitur nga lufta civile Siriane dhe konflikte të tjera, tani ka rënë, por shumë azilkërkues ende jetojnë në kushte të pasigurta në Evropë, të pastrehë dhe të papunë.