Angli, 30 shtator 2014 – Tashmë Anglia është kthyer në “Mekën” e emigrantëve klandestinë shqiptarë. Policia angleze vetëm gjatë këtij viti në bashkëpunim me policitë greke, italiane, spanjolle, belge, franceze e holandeze ka shkatërruar 9 banda shumëkombshe, që merreshin kryesisht me dërgimin e klandestinëve shqiptarë dhe të prostitutave në Angli.
Roja civile (policia) spanjolle vetëm gjatë datave 26-27 shtator ndaloi 50 shqiptarë, që po përpiqeshin të shfrytëzonin ngarkesën mbi normalen në port gjatë fundjavës, për të shkuar klandestinë në Angli duke përdorur tragetet e tipit RO-RO, që lidhin Portin spanjoll të Santander-it me Portin anglez të Plimuthit.
Ky ishte një sukses jo i zakonshëm për policinë spanjolle, sepse gjatë tre muajve të verës ata arritën të ndalojnë vetëm 180 klandestinë shqiptarë, që përpiqeshin të shkonin në Angli duke përdorur tragetet e pasagjerëve dhe tragetet RO-RO po nga porti i Santander-it për në portet angleze. Vetë në një fund javë u kapën klandestinë shqiptarë thuajse sa një e treta e atyre të kapur gjatë tre muajve të verës.
/Gj.Th Agjencia e Lajmeve Dyrrah/





