2 gusht 2015 – Pas akuzave të bëra publike në media të familjarëve të Bujana Bushit, që humbi jetën pak ditë më parë në aksin rrugor Kavajë-Rrogozhinë, sipas të cilëve policia nuk e bëri publike vdekjen e 32-vjeçares dhe se viktima kishte me vete 100 mijë euro të cilat më pas u zhdukën, vjen dhe reagimi i policisë.

Në komunikatën zyrtare të policisë, blutë sqarojnë se çanta e 32-vjeçares, në të cilën sipas pretendimeve të vëllait të viktimës gjendeshin dhe 100 mijë euro, i është dorëzuar vëllait të Kosta Tacit. Policia thotë se shtetasi A.A, vëllai i drejtuesit të mjetit, mori me vete sendet që ndodheshin në makinë së bashku me çantën e viktimës. Më pas kjo çantë me proces-verbal iu dorëzua prokurorit të çështjes. Pas urdhrit të Prokorurisë për kthimin e sendeve të sekuestruara, policia njofton se familjarët janë informuar se do t'i marrin të gjitha sendet e viktimës.

Megjithatë, deri tani nuk është hedhur ende dritë mbi shumën e 100 mijë eurove, nëse me të vërtet ato janë gjetur në çantë, siç thotë vëllai i viktimës dhe pas procedurave ligjore do t’i kthehen familjarëve, apo janë zhdukur dhe nuk dihet se kush i ka marrë.

Deklarata e plotë e policisë  

Lidhur me një ankesë të bërë publike në media nga familjarë të shtetases Bujana Bushi, e cila humbi jetën në një aksident rrugor të ndodhur në datë 30.07.2015, në segmentin rrugor Kavajë – Rrogozhinë, pranë kryqëzimit të fshatit Lekaj, sqarojmë se: Në datë 30.07.2015, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve Fatmir Bekshiu, 65 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë, si edhe i shtetasit Kosta Taci, 51 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Vlorë.  

Arrestimi u krye pasi në këtë datë, shtetasi Kosta Taci duke qarkulluar me mjetin e tij tip Benz me targë AA 837 GH në aksin Kavajë – Rrogozhinë, pas ndërprerjes së rrugës nga motori me targë AF107, të drejtuar nga shtetasi Famir Bekshiu, u përplas me një mjet tjetër që po udhëtonte në sensin e kundërt të rrugës. Shkak paraprak dyshohet se u bë ndërprerja e rrugës nga dalja e gabuar e motorit në rrugën kryesore, çka solli devijimin e mjetit. Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën shtetasja Bujana Bushi, 33 vjeçe, banuese në Vlorë, si dhe u dëmtuan lehtë shtetaset e mitura S. C, A. C dhe F. C, fëmijët e drejtuesit të mjetit tjetër që u përfshi në aksident.

Në vendin e ngjarjes është paraqitur vëllai i shtetasit Kosta Taci, të cilit nga shërbimet policore iu kërkua të vinte në dispozicion dokumentet e makinës, pasi drejtuesi i mjetit u shoqërua për ndihmë mjekësore.

Gjithashtu atij iu dorëzuan edhe sendet personale që gjendeshin në makinë, nga shërbimi policor.  Shtetasi A.A, vëllai i drejtuesit të mjetit mori me vete edhe çantën e viktimës. Më pas kjo çantë me proces-verbal iu dorëzua prokurorit të çështjes. Gjatë këqyrjes së viktimës nga ekspertët kriminalistë, nuk janë gjetur dhe sekuestruar sende personale. Policia mori kontakt me të afërmit e viktimës dhe sqaroi gjithashtu rrethanat e ngjarjes.

Përsa i përket çantës me sendet e tjera të viktimës, familjarët janë informuar se mund t’i marin vetëm pas urdhrit të kthimit të sendeve të sekuestruara të Prokurorisë.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/