25 prill 2015 – Trupi i pajetë i një të moshuari u gjet sot në mëngjes pranë superstradës Lezhë-Laç, në dalje të qytetit të Lezhës.
Por ajo që është më tepër shokuese, qëndron te transportimi i viktimës së identifikuar si Gëzim Sula, 60 vjeç, i cili nuk është transportuar me automjetin përkatës të morgut, por me një kamionçinë.
Policia nuk njoftoi ambulancën për të marrë kufomën, por e mbështolli në një batanije dhe e hodhi në karrocerinë e njerit prej mjeteve të tyre.
Gjithçka ka ndodhur para syrit të efektivëve të policisë së Lezhës, të cilët vetë ata e kanë hypur trupin e viktimës në karrocerinë e kamionçinës, veprim ky që është jashtë rregullave përkatëse të transportimit të viktimave që humbin jetën në aksidente rrugore.
Madje në vendngjarje ndodheshin edhe drejtuesit më të lartë të policisë së këtij qyteti të cilët filluan të bënin detyrën e policit rrugor.
Ndërsa në lidhje me shkaqet e aksidentit të 60-vjeçarit, blutë e Lezhës dyshojnë se mund të jetë aksidentuar gjatë natës ndërsa tentonte të kalonte nga njëri kah i rrugës në tjetrin.
Aksidenti ka ndodhur në moment errësire, duke i dhënë mundësi drejtuesit të mjetit që të largohet.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/