Policia e Shtetit tha se 3 punonjës policie kanë mbetur të plagosur në protestën e paligjshme të thirrur nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj para Kuvendit.
“Gjatë tubimit të paligjshëm përpara Kuvendit, protestuesit krijuan incidente me Policinë dhe më pas e goditën, gjatë përpjekjes për të çarë kordonin e forcave të rendit. Mbi punonjësit e Policisë së Shtetit u hodhën gurë dhe mjete të tjera të forta. Për pasojë u lënduan dhe po mbahen në mbikëqyrje mjekësore 3 punonjës policie, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën”, tha policia në një deklaratë.
“Edhe mes tubuesve pati të lënduar, si pasojë e efekteve të gazit lotsjellës, të përdorur nga Policia për të prapsur turmat e dhunshme”, shtoi policia.
Në deklaratë thuhet se tubimi i organizuar nga Partia Demokratike e aleatët e saj në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, “në kundërshtim të plotë me ligjin, në mënyrë të papritur dhe të pa lajmëruar, por edhe në kundërshtim me vetë kërkesën e organizatorëve për vendin e protestës, u zhvendos në sheshin para Kuvendit të Shqipërisë.”
Menjëherë pas mbylljes së tubimit, në vendin ku pati akte dhune mbi forca e rendit dhe ndaj institucionit të rëndësisë së veçantë, u ngrit një grup i posaçëm hetimor.
“Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve të përfshirë si dhe dokumentimin e plotë të çdo episodi dhune.”
Ndërsa ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në një postim në rrjetet sociale shprehu keqardhje për gjendjen e opozitës dhe respekt për përgjegjshmërinë dhe profesionalizmin e policisë.
“Edhe sot Policia e Shtetit u vu në shënjestër të dhunës së verbër që mësynte ndaj Kuvendit të Shqipërisë. Keqardhje për degradimin e opozitës parlamentare në gjendje parapolitike dhe respekt për përgjegjshmërinë e profesionalizimin e Policisë së Shtetit”, shkroi Lleshaj.





