Pas plagosjes së një të moshuari, pasditen e së hënës pranë sheshit “Pranvera”, policia e Durrësit jep të tjera detaje lidhur me ngjarjen.

Sipas burimeve policore, viktima e krimit ka mbetur i plagosur rëndë, ndërsa autori është arrestuar nga efektivët pas disa minutash ndjekjeje. Atij i është gjetur edhe arma e krimit, të cilën vijonte ta mbante me vete.

Gjithçka ka nisur pas një debati verbal me fjalë fyese. mes shtetasit A. Sh., 67 vjeç (autori) dhe shtetasit F. T., 70 vjeç (viktima).

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt fizik me përdorim të mjetit prerës, në zonën pranë sheshit “Pranvera”, shkuan në adresën e dhënë dhe ndërhynë në kohë reale. Si rezultat i ndërhyrjes profesionale, Policia arrestoi në flagrancë shtetasin A. Sh., 67 vjeç, banues në lagjen nr.11, Durrës. Arrestimi i tij u bë pasi dje, në lagjen nr. 11, Durrës, në zonën e njohur si “Lulishtja”, pranë sheshit “Pranvera”, gjatë një konflikti për motive të dobëta dhe një debati verbal me fjalë fyese, ai goditi me mjet prerës (thikë) shtetasin F. T., 70 vjeç, banues në të njëjtën lagje, duke e plagosur rëndë”,- njofton policia.

I dëmtuari ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës, në kujdesin e mjekëve. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua mjeti prerës (thikë) me të cilin u krye plagosja.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.