SHBA – “Synimi i nënës së Adam Lanza, të riut që kreu masakrën në një shkollë fillore në qytetin amerikan Newtown për ta dërguar të birin për trajtim të detyrueshëm në një spital psikiatrik, mund ta ketë shtyrë atë në kryerjen e krimit monstruoz”,- njoftojnë mediat amerikane. Ato u referohen autoriteteve zyrtare që po merren me zbardhjen e shkaqeve të tragjedisë që tronditi të gjithë botën.
"Me sa duket, Adam Lanza u mërzit shumë dhe u zemërua. Ai mund të ketë menduar se nëna, thjesht dëshironte të shpëtonte prej tij, ta hiqte qafe. Ndoshta kjo dhe ishte arsyeja e “shpërthimit” të tij", – deklaroi në një intervistë për kanalin televiziv "Fox News" djali i pastorit të një kishe lokale, i cili njihet me familjen e Adam Lanza dhe familjet e shumë prej viktimave të tij.