Policia Kufitare në Policinë e Shtetit ka përfituar mjete të reja lundruese të modernizuara që kanë kapacitete të kryejnë edhe kontrollin e procedurave për mjetet lundruese shqiptare e të huaja në det të hapur.
Këto mjete u dhuruan në kuadër të Programit Kombëtar IPA 2018, të financuar nga Bashkimi Europian dhe të zbatuar nga Qendra Ndërkombëtare për Zhvillimin e Politikave të Migracionit (ICMPD).
Nga ky program, Policia Kufitare ka përfituar 5 mjete lundruese, patrulluese dhe 2 automjete për mbikëqyrjen e kufirit të gjelbër, të cilat do të mundësojnë që Policia Kufitare të ushtrojë kontrolle dhe inspektime në det të hapur, të ndërmarrë operacione kërkim-shpëtimi në det, si dhe të kryejë procedura të kontrollit kufitar për mjetet lundruese, turistike dhe/ose të huaja, në det të hapur, pa u dashur të paraqiten në porte për t’i kryer këto procedura.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, i pranishëm në aktivitetin e dorëzimit të këtyre mjeteve që u zhvillua në Portin e Durrësit, thotë se instalimi në skafe dhe automjete i 2 radarëve modernë do të mundësojë identifikimin e mjeteve të lundrimit të të gjitha përmasave, në të gjithë zonën që ata do të mbulojnë, që përbëjnë zona me rrezikshmëri të lartë për trafiqe të paligjshme.
“4 sistemet e mbikëqyrjes së kufirit, 2 prej të cilëve janë të pajisur edhe me radarë, përfaqësojnë një teknologji mjaft të avancuar për parandalimin dhe goditjen e krimit ndërkufitar dhe të emigracionit të parregullt. Këto sisteme, që operojnë ditën dhe natën dhe që janë të afta të identifikojnë vendndodhjen e saktë të një objekti apo personi, përveçse mundësojnë mbikëqyrjen e kufirit në zona rurale të pamundura për t’u patrulluar me prezencë fizike policore, përbëjnë një mundësi shumë të mirë për riplanifikimin e burimeve njerëzore dhe logjistike. Trafiqet nëpërmjet detit nuk i rezervohen vetëm mjeteve të mëdha e të komplikuara të lundrimit. Çdo mjet lundrues mund të bëhet shtrat krimi. Për të parandaluar dhe luftuar veprimtaritë kriminale që kanë vendngjarje detin, secili, i vetëm, e ka të pamundur, sepse askush nuk është mjaftueshëm i fortë, as mjaftueshëm i pajisur, për ta luftuar i vetëm krimin. Por kur jemi bashkë asgjë nuk është e pamundur”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama, në një postim në Facebook, thotë se ky është një lajm i mirë për të gjitha anijet turistike, për turistët e huaj apo shqiptarë që kanë mjete lundruese, nuk është e nevojshme të ankorohen në port për të kryer procedurat me dokumentacionin, por do të jenë këto skafe moderne të Policisë Kufitare që do të përpilojnë të gjithë dokumentacionin në det të hapur.
“Jo më o hajde ankorohu në port o nuk e shijon dot bregun e Shqipërisë me anije. Një lajm i mirë për mjetet lundruese turistike dhe ata që duan të shijojnë mrekullitë e vendit tonë nga deti. Tashmë ka nisur funksionimi i Pikës Kufitare të Lëvizshme përgjatë bregdetit. Nga kjo lehtësi e jashtëzakonshme përfitojnë të gjithë shtetasit e huaj dhe shqiptarë që hyjnë apo dalin nga ujërat tona me mjetet e tyre lundruese. Policia Kufitare mbërrin tek ata kudo në bregdet për të kryer procedurën përkatëse”, ka shkruar Kryeministri Edi Rama.