Në orët e para të mëngjesit, është djegur automjeti i një oficeri të policisë në Shkodër.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Tre Heronjtë”, pak metra larg shtëpisë së policit Sokol Kroni. Ai kishte parkuar automjetin e tij, si çdo natë tjetër, teksa rreth ores 04:00 të mëngjesit, ka vënë re zjarrin.
Mbërritja e repartit zjarrfikës ka bërë të mundur shuarjen e flakëve por makina është djegur pjesërisht. Kamerat e sigurisë kanë filmuar momentin kur një djalë i ri, me kapuç, afrohet pranë automjetit e lyen me lëndë djegëse dhe i vendos flakën.
Zjarri rrezikon edhe autorin i cili duket se shpëton mrekullisht pa u përfshirë nga flaket. Me pas, autori largohet me shpejtësi nëpër rrugicat e lagjes.
I pyetur nga kolegët e tij dhe prokuroria, oficeri i policisë, Sokol Kroni ka deklaruar se nuk ka konflikte me njeri. Ai aktualisht mban detyrën e policit të zonës në piken turistike të Thethit. Dyshimet janë se ngjarja mund të këtë ndodhur per shkak të detyrës që mban.





