Prej gati një jave, Poliklinika e Specialiteteve në Durrës ka hapur dyert pas rikonstruksionit të plotë, të cilit iu nënshtrua për rreth një vit.
Krahas kushteve bashkëkohore dhe aparaturave mjekësore të teknologjisë së fundit, poliklinika ofron një gamë më të gjerë shërbimesh mjekësore, sesa më parë.
“Për herë të parë futet aparati i grafisë digjitale. Bën të mundur realizimin e të gjithë grafive për të gjithë popullatën, përmes sistemit të referimit. Kemi aparatin e ri të ekos abdominale, që mund të bëjë dhe eko doppler (të enëve të gjakut), që rrit cilësinë e shërbimit. Investimi i ri është bërë në kabinetin e okulistikës me aparatura të reja, të cilat bëjnë të mundur diagnostikimin dhe trajtimin e pacientëve, sidomos moshave të treta. Shërbim i ri dhe aparatura të reja janë ofruar dhe në klinikën e ORL-së, të sëmundjeve të veshit dhe të fytit me aparatin e ri të audiometrisë nëpërmjet të cilit bëhet vlerësimi i dëgjimit dhe kjo kryesisht bëhet tek moshat e reja dhe jo vetëm”,- thotë për “DurrësLajm” nëndrejtori i spitalit rajonal, Gent Kavaja.
Rreth 177, 950 banorë të Durrësit dhe jo vetëm do të përfitojnë nga ky investim i buxhetit të shtetit dhe MSHMS-së. Për të evituar radhët dhe pritjet e gjata, poliklinika është pajisur me sallën e pritjes dhe pasi tërheq numrin përkatës, çdo pacient dërgohet pranë mjekut me të cilin ka konsultën.
“Pacienti përmes sistemit të referimit paraqitet në ambientet e poliklinikës , merr numrin e pritjes, do të akomodohet në dhomën e pritjes dhe pastaj përmes koordinatorit të shërbimit të poliklinikës bëhet e mundur qasja drejt recepsionit dhe dërgimit drejt mjekut specialist për të cilin ka marrë rekomandimin nga mjeku i familjes”,- deklaron nëndrejtori Kavaja.
Shërbimi i shpejtë dhe mjaft cilësor në 17 specialitete dhe ekzaminime laboratorike i ka lënë mjaft të kënaqur pacientët dhe qytetarët që këto ditë janë drejtuar në poliklinikë.
Nëndrejtori Kavaja, ka një apel për të gjithë mjekët e familjes, që të adresojnë pacientët e tyre në Poliklinikën e Specialiteteve, pasi kështu lehtësohet në mënyrë të ndjeshme rradha e pritjes për qytetarët që deri më tani e merrnin shërbimin e kërkuar mjekësor vetëm në spital.
M.B.