NGA ILIR PAJA
Në një nga tregimet e tij, shkrimtari rus, Tolstoi, trajton brenda një fabule sesi vdes një i pasur, një fshatar dhe një pemë. Mendoj se ajo që dallon në tri vdekjet i mbetet njeriut. E kuptojmë të gjithë dallimin mes të pasurit dhe të varfrit (atë të pemës tolstojane do e lëmë në mbyllje të shkrimit). Ndërsa fati i mëtejshëm që na shqetëson është… A ka “botë” të përtejme kur e shtrimë përdhe një pemë 100-vjeçare? Po kur tërheqim zvarrë një pishë dhe rrëshira e saj e sapo krijuar si lëng i ngjan lëkurës së njomë të foshnjës?! Ç’vrasës jemi!
Janë 120 000 mijë hektarë me pyje që nuk gjenden më në asnjë hartë. Po të llogarisim largësinë e një peme nga tjetra që nuk i kalon 3-4 deri në 5 metra; “lexues”, bëje vetë bilancin! Mjafton të themi se kaq hektarë bëjnë 1 200 000 000 metra katrorë. Po të shtojmë këtu dhe një nga pafundësitë e mirësisë të natyrës ku një pemë akumulon ose thith, “pi” 600 litra ujë në vit, tani gjithçka mund të themi është: një vrasje e natyrës që dhemb më shumë se një dramë e shpërnguljes së një popullsie gjetkë.
Mendojmë se dëmi ndaj natyrës e ka krijuar bindjen për karakterin tonë. Pasi migruam me të drejtën e lirisë filluam dhe një “diktaturë” të një lloji ndryshe. Zotër të lirisë që nisëm të burgosnim në formë hakmarrjeje gjithçka ishte ngritur nga toka, njerëzit. Shitëm pa ankande dhe vlerë reale “skrapin” e realitetit socialist, industrializimin e ndryshkur të kohës. Ndërsa pasurinë pyjore, atë të parqeve kudo, madje disa të cilësuar “parqe kombëtare” ia dolëm t’i shkulnim me gjithë rrënjë. E gjitha kjo si një ego, ku urrejtja përjetoi delire shkatërrimi dhe jo nevojë për jetesë.
E gjitha kjo sipërmarrje nuk ishte vetëm shtysë individuale. Ajo buroi nga politika. E pamundur për të prodhuar, pothuaj qëllimshëm shteroi të gjitha pritshmëritë investuese nga jashtë dhe u gjend si një shoqëri që mbijetesën e bazoi në shfrytëzimin e rezervave natyrore. Rezerva të krijuara në mijëra vjet. Të cilat tani për një çerek shekulli po preknin fundin. Po të ndodhte kjo ky do ishte kufiri i një vendi i krahasuar me fatin e minatorit i mbetur në galeri.
Deklarimi i disa ditëve më parë nga Ministria e Mjedisit, inspektorati i mjedisit në këtë institucion qeverisës, stafi saj deklaroi se janë mbjellë mbi 2.5 milionë fidanë të rinj pemë të jep shpresë për frymëmarrje. Por jo të gjithën. Tani mund të themi se jemi popull i cili jeton dhe merr frymë vetëm me njërën mushkëri… Ndaj na duhet të jemi ende larg të adhuruarit, të besuarit në një punë të madhe me shpresë të vogël,që të dehemi me aromën e një atdheu i gjithi i mbjellë nga bimë që krijoi një shoqëri nën moral narkomanësh. Prania e ministrit të brendshëm z. S. Tahiri, i cili me nismën e një “Rilindje të dytë”… brenda një mandati qeverisës, që prerja e pyjeve duhet parë si krim dhe jo dëmtim ndaj natyrës është i pranueshëm. Ajo që flitet rëndom kudo ka të bëjë me “sloganin” e trembshëm për faje.
Tani çdo dëmtim nga jeta njeriut, pronës dhe shumëçka ndodh rëndom këtu do ndëshkohet si krim. Dhe ndëshkimi do jetë, është burgu! Po të mundohemi të jemi konkretë, jo pak dhe realistë, qeverisjes sot i ka kulmuar pushteti si shtet i ndëshkimit. Mendojmë se ky “kod” moral, ligjor e ka një argument bindës. Sa herë të dëgjojmë këtë paralajmërim duhet të shohim pak mbrapa. Në një shoqëri e cila jeton përtej mundësive reale, ka dy burime nga i vijnë ato. Ajo ose vjedh, ose merr borxh. Shteti merr borxh duke falë dhe ligjëruar vazhdimin e vjedhjes së shoqërisë. Në këtë rast kuptojmë se jemi thellësisht të gjithë të inkriminuar.
Nuk mjafton krimi ndaj lumenjve, liqeneve, pyjeve, pasurive joshëse të këtij vendi të kuptojmë shumë më tepër se kaq. Tani jemi të qartë në profecinë e një mandati të “dytë” brenda të parit. Shtimi i neneve të Kodit Penal, duke u përpjekur të quhet krim dhe prerja e një peme është akt i një shteti që kërkon qytetërimin përmes jo ndëshkimit. Por zgjimit të një respekti deri në përulje të këtij vendi. Ajo që do donim të ishim dhe ne pjesë ka të bëjë me shkallët e ndëshkimit ndaj kësaj pasurie jo vetëm kombëtare. Pyjet janë mushkëritë që do shoqërojnë lindjet e brezave! Në mënyrë figurative do shpreheshim se dënimi me burg të përcaktohet nga vlera e jetës, qoftë i një lisi, ahu, bredhi mbi 50,60… 99-vjeçar, ashtu si dhe një fidan i sapombjellë.
Ashtu siç duhet ndëshkuar me burgim në përjetë një vrasje jete…prone, pasurie kombëtare. Por këto ndryshime deri dhe në Kushtetutë kanë dhe efektet anësore. Kjo ka të bëjë me “këmbimin” i cili shteti duhet ta bëjë ndaj qytetarit. Një qytetar i punësuar do të thotë më pak faj. I punësuar ndershëm do të thotë shtetas i virtytshëm. Këto dy drejtime fatesh jete janë tani problemi më madhor i vetë këtij sistemi qeverisës. Ardhur përmes një doktrine kaq kombëtare historikisht ky model s’duhet të zhgënjejë. Nëse po, fatkeqësisht ka nëpërkëmbur vetë një të shkuar për të cilën cilësimi “Mot i Madh” ishte më i besueshëm dhe pse dikurshëm… në atë Rilindje!
Tani po e japim dhe mendimin e Tolstoit mbi vdekjen e një peme. Sipas tij, pylli është shkrimi mbi tokën. Nëse presim një pemë kemi vrarë një shkronjë… Përfytyrojeni vetë botën e përtejme të pranojë njerëz kaq të paditur… I pasuri dhe i varfri vdesin njëlloj. Ndërsa vdekja e një peme është “analfabete”… ku njeriu s’do dijë nesër të njohë prejardhjen! Kohë më pare, një bashkiak, komunar, qeveritar etj. mbillte një pemë si shenjë e një simbolike ku morali ishte i thjeshtë. E duan shtetin, por s’e bëjnë dot të gjithin…
Ndaj politika mbillte një pemë kur nga ana tjetër u vinte zjarrin hektarëve të përgjegjësive. Sot nëse do duam të jemi me fqinjët dhe në natyrë duhet të mos të ngremë një memorial për pyjet si për të rënët. Ftesa e ministrit të jashtëm boshnjak (duke vendosur lëvizjen mes dy vendeve me karta identiteti) që malet në Bosnje kanë pista për ski në dëborë na bën të ndjehemi fqinjësor, por dhe inferior.
Si përfundim do të shpreheshim: Memoriali për pyjet janë pemët aty, kudo. Të gjymtuara, të masakruara. I mungon qenësia njerëzore për të kuptuar se “gjakmarrja” me natyrën s’ka fuqinë e pajtimit të “gjaqeve”…Së paku një pemë e mbjellë është një falje. Ndërsa ajo që ende jeton do rrijë në pritje të sharrës së radhës nëse shteti me mbjelljen nuk do mbjellë në këta fidanë jo pak dhe “trimëri”! Dikur kam shkruar se pemët duheshin varur në qiell që mos të vriteshin. Sot lutem, lutemi që ato duhen vrarë pa u prerë…
Marrë nga e përditshmja “Shekulli”, 8 gusht 2015.