Nga Dr. Bledar Kurti
Në politikë ka njerëz plot dhe njerëz bosh.
Njerëz plot me dije, vizion dhe dhunti që duan të japin dhe ata bosh që duan vetëm të marrin.
Me pangopësinë dhe grykësinë e tyre të pafund kafshojnë, mbllaçisin e zbrazin një komb të tërë.
Fatkeqësisht, në 30 vite këta kanë qenë shumica, ndaj edhe Shqipëria është sot më e mjerë se kurrë.
Këta janë pragmatistët që e shohin dhe e përdorin politikën për të përmbushur defiçensat e tyre personale, arsimore, intelektuale, profesionale dhe financiare. Këta janë pa kredo dhe pa Zot, pasi Zot të vetëm kanë grykësinë.
Kategoria tjetër, idealistët, janë armiqtë e shumicës boshe të politikës, ndaj edhe janë gjithnjë e më të rrallë, ndaj edhe largohen nga politika apo qëndrojnë jashtë saj.
Shumë të rinj e të reja të edukuar në perëndim janë kthyer për të kontribuar në Shqipëri. Për të dhënë nga vetja e për të sjellë sado pak ndryshim. Por pjesa më e madhe e tyre u kthyen nga kishin ardhur e ata pak që kanë mbetur duan të largohen sërish. Studentët që tashmë studiojnë jashtë vendit nuk duan të kthehen më në atdhe.
Shtresa e mesme shqiptare është larguar. Elita ja ka mbathur, jo sepse është e paaftë të përballet me beteja dhe sfida por ndihet e njollosur dhe e pistë nëse përzihet me grykësit lakmiqarë.
Kësisoj, politika sot është plot me njerëz bosh që nuk kanë vizion për jetën e tyre e jo më për vendin dhe komunitetin.
Është plot me zvarranikë e shushunja që marrin e marrin, dhe ëndërrojnë të marrin gjithnjë e më shumë sepse njerëzit bosh kanë një veti: nuk ngopen kurrë.
Ata janë anti-elita, nemesis i vlerave dhe progresit. Ata janë si budallai që rri me duar të kryqëzuara dhe ha mishin e vet. Në këtë rast po hanë kombin e tyre.
Mjafton të krahasojmë deputetët e parë të krijimit të shtetit dhe parlamentarizmit shqiptar me këta të sotmit për të parë degradimin dhe shthurjen njerëzore dhe intelektuale të ligjbërësve tanë.
Në Këshillin Kombëtar të vitit 1921 ishin Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, e shumë e shumë figura të shquara të kombit.
Madje edhe në vitin 1992 shqiptarët përfaqësoheshin nga njerëz me vlera dhe zëra të rëndësishëm të të gjitha fushave si Pjetër Arbnori, Aleksandër Meksi, Gramoz Pashko, Besnik Mustafaj, Teodor Keko, etj.
Sot, kuvendi është plot analfabetë me diploma falso, trafikantë, dashnore oligarkësh apo kontrabandistësh, sahanlëpirës të pështirë që përfaqësojnë asgjë, pa asnjë kontribut për vendin.
Nga ajka tek bajga. Ndaj edhe jemi shndërruar në një turp për veten dhe për të gjithë ata që na shohin. E vetmja zgjidhje është zgjimi.
Zgjimi i ndërgjegjes kombëtare dhe i intelektualëve në veçanti që të ngrenë zërin, të guxojnë e të godasin fenomenin e injorantizmit qeverisës, të përfshihen në politikë e të luftojmë për të sjellë ndryshimin pasi ky është shërbimi më i madh që mund t’i bëjnë vendit dhe mbrojtjes së dinjitetit të kombit shqiptar.
25 prilli është një thirrje për të gjithë elitën e mbetur shqiptare për të mos i lënë mendimet vetëm t’u vlojnë mbi nënkresë, por zemërimin ta kthejnë në veprim.
Koha për veprim është sot.