DURRËS, 13 nëntor 2014 – Një urim tejet special ka marrë Begaj nga kryeministri Rama në Facebook. "Urime, urime, urime Romela Begës për medaljen e artë! Një kampione bote për gjithë vajzat shqiptare! Superbarazi gjinore në medaljet e arit". Ministrja e Arsimit dhe e Sporteve, Lindita Nikolla, është shprehur se ndihet krenare me Daniel Godellin dhe Romela Begaj. Në postimin e radhës ajo ka shkruar se është e mrekulluar me këtë performancë të tyre. "E mrekulluar nga performanca e Ekipit tonë Kombëtar të Peshëngritjes në Kampionatin Botëror. Dje me kampionin e botës Daniel Godelli dhe sot me kampionen tjetër, Romela Bega. Një bravo e madhe nga zemra, që na bëni të ndihemi të gjithë ne krenar. #Forca Shqipëria". Edhe ish-kryeministri Berisha ka reaguar për një tjetër triumf për peshëngritjen shqiptare, ku Romela Begaj ngjitet në majën e botës. "Romela Begaj kampione bote në peshëngritje!! Lajm i jashtëzakonshëm për sportin dhe kombin shqiptar! Pas Daniel Godellit, Romela Begaj fiton medaljen e artë dhe shpallet kampione bote në peshëngritje në Almati të Kazakistanit. Urimet më të përzemërta mbretëreshes shqiptare të peshëngritjes, kampiones së botës në peshën e saj, Romela Begës. Urimeee!!", ka shkruar Berisha. Po kështu personalitetet e politikës shqiptare kanë uruar një ditë më pare edhe Kampionin e ri të Botës në peshëngritje Daniel Godelli. Në faqen zyrtare të presidencës nëpërmjet një komunikate njoftohet se “Presidenti Bujar Nishani, zhvilloi një bisedë telefonike me kampionin e botës në stilin e shkëputjes, Daniel Godelli dhe drejtuesit e FSHP, të cilët i uroi për fitoren e arritur duke ngritur në lartësinë e vendit të parë në botë, Flamurin Shqiptar”. Në fakt njoftimi i presidencës ka nevojë për një korrigjim, pasi Daniel Godelli është kampion bote jo vetëm në shkëputje, por dhe në dygarësh, por gjithsesi rëndësi ka mendimi. Presidenti i FSHP, Elez Gjoza bëri të ditur se telefonata urimi në drejtim të kampionit të botës kanë shkuar edhe nga ana e Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta. Kreu i ekzekutivit me sa duket e ka ndjekur të plotë garën e Godellit pasi shkruan në faqen e tij zyrtare në Facebook me nota emocionale.”Uh çfare gezimi Daniel Godelli kampion bote ne peshengritje!Do te tentoje pas pak rekordin boteror!Sapo e urova,fantastike!” shkrim që mbyllet me hashtagun #ForcaShqiperia”. Nuk mund të mungonte për këtë arritje edhe një urim nga Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla e cila shkruan në profilin e saj në Facebook, “Lajme të mira nga Kazakistani! Daniel Godelli me medalje ari në Botërorin e Peshëngritjes.”, ndërkohë që kryetari i Partisë Demokratike dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha ka zgjedhur një koment disi të vecantë ndërsa kujton se janë “ Sportistët e Sport Klub Tiranës qe nderojnë sërisht Shqipërinë” ndërkohë që në komentin e tij vijon. “Faleminderit Daniel Godelli, kampioni më i ri i botës në peshëngritje. Mbështetja për ju detyrimi ynë. Urime dhe Erkand Qerimajt për rezultatin e arritur. Urime dhe suksese sportistëve tanë që na bëjnë krenarë. Përpara Shqipe! Një tjetër urim vjen nga deputeti Braçe për kampionen Romela Begaj. "Ju thashë, kohët kanë ndryshuar!! Tani kemi kampionë të dyfishtë bote dhe janë të Shqipërisë!! Një super, super vajzë si Romela, Kampione e Botës!!
QEVERIA TE BEJ GATI ZBATIMIN E VENDIMIT!!", përfundon ai.





