Nga Dr. Bledar Kurti
(Alumni i Departamentit Amerikan të Shtetit)
“Njeriu, në natyrën e tij, është kafshë politike,” shkroi Aristoteli. Sepse njeriu ka të mbartur përkatësinë dhe shtysën e komunitetit. Sepse mjeriu zotëron zë dhe arsyetim moral. Kësisoj, çdo njeri, edhe në formën pasive është pjesë e politikës. Edhe nëse ai mendon se nuk merret me politikë, politika merret me të. Por, roli aktiv i individit në politikë përbën thelbin e demokracisë funksionale.
Për këdo që aspiron të pozicionohet në frontin e parë të politikës, ai apo ajo duhet të zotërojë apo kultivojë zemrën dhe vizionin.
Në një kohë kur fjala “politikë” shpesh shoqërohet me mosbesim, është e nevojshme të rikujtojmë pandalim thelbin e saj: politika është, para së gjithash, shërbim. Jo pushtet për hir të pushtetit, jo privilegj për jetëshkrim individual, por përgjegjësi për njerëzit e thjeshtë. Shqipërisë i duhen njerëz të mirë, e shërbëtorë civilë që e kuptojnë se posti publik është një barrë morale dhe shtysë ndryshimi.
Mark Aurelius, Perandori filozof i Romës, në kulmin e pushtetit të tij, teksa turmat e adhuronin si perëndi, mbante pas vetes dikë që i fliste pa reshtur në vesh: “Je vetëm një njeri. Je vetëm një njeri.” Ky vetëdijësim është themeli i çdo qeverisjeje të drejtë. Vetëdija e të qënit njeri mes njerëzve, të bën të mos shkëputesh nga realiteti i qytetarit të thjeshtë, nga nevojat e pensionistit, nga ëndrrat e të riut, nga sakrificat e prindit, nga nevojat kolektive të komunitetit.
Politika me zemër fillon nga përulësia. Ajo kërkon të dëgjosh më shumë sesa të flasësh, të kuptosh më shumë sesa të premtosh. Historia na jep shembuj të qartë se si madhështia e një shtetari nuk matet vetëm me forcën e zërit, por me thellësinë e ndërgjegjes.
Abraham Lincoln, në një nga periudhat më të errëta të historisë amerikane, udhëhoqi një komb të përçarë drejt bashkimit. Ai tha: “Pothuajse të gjithë njerëzit mund ta përballojnë fatkeqësinë, por nëse doni të provoni karakterin e një njeriu, jepini pushtet.” Kjo thënie është një pasqyrë e qartë për çdo politikan: pushteti nuk është provë force, por provë karakteri. A do ta përdorësh atë për të ndërtuar ura apo për të ngritur mure?
Po kështu, Nelson Mandela, pas 27 vitesh burg, nuk zgjodhi hakmarrjen, por pajtimin. “Hakmarrja është si të pish helm dhe pastaj të shpresosh se ajo do t’i vrasë armiqtë e tu,” paralajmëronte ai. Në një shoqëri të vogël si e jona, ku fjalët përçajnë shpejt dhe plagët hapen lehtë, politika me zemër kërkon guximin për të ndërtuar, për të bashkuar, për të krijuar konsensus. Vizioni i vërtetë nuk është dominimi, por përfshirja e të gjithë aktorëve dhe faktorëve në një projekt më të madh kombëtar.
Edhe Winston Churchill, në kohë lufte, frymëzoi popullin e tij me vendosmëri dhe shpresë. “Ne e sigurojmë jetesën nga ajo që marrim, por krijojmë një jetë nga ajo që japim,” shprehej ai. Kjo filozofi vlen po aq në kohë paqeje. Një politikan mund të fitojë jetesën nga posti, por jetën, në kuptimin moral dhe historik, e ndërton nga ajo që jep për të tjerët.
Shërbimi me zemër do të thotë të shohësh përtej statistikave. Rritja ekonomike nuk është vetëm përqindje në letër; është buka në tryezën e familjes së thjeshtë. Reforma në arsim nuk është vetëm një ligj i miratuar; është drita në sytë e një fëmije që zbulon talentin e tij. Investimi në shëndetësi nuk është vetëm projekt infrastrukture; është jeta e shpëtuar e një nëne, është dinjiteti i një të moshuari.
Por zemra, pa vizion, mbetet ndjenjë e paorientuar. Thjesht utopi. Politika ka nevojë për vizion, për një ide të qartë se ku duam ta çojmë Shqipërinë në 10, 20, 30 vitet e ardhshme. Vizioni kërkon dije, përgatitje, integritet. Kërkon të mendosh për brezat e ardhshëm.
Reformat e mëdha kërkojnë vizion, por ato ndërtohen mbi një kulturë të vogël, por të vazhdueshme, përgjegjësie. Qytetari i thjeshtë nuk kërkon mrekulli. Ai kërkon drejtësi. Kërkon që zëri i tij të dëgjohet, që puna e tij të vlerësohet, që sakrifica e tij të mos shpërdorohet. Kërkon një filozofi e qasje administrative që nuk e sheh si numër, por si njeri. Dhe këtu kthehemi te Mark Aurelius: “Je vetëm një njeri.” Nëse çdo drejtues do ta përsëriste këtë fjali çdo mëngjes para se të hynte në zyrë, politika do të ndryshonte rrënjësisht.
Kultura e duhur politike matet me besim të ndërtuar. Politika e vërtetë është përkushtim i zëshëm por edhe i heshtur, i përditshëm, shpesh i padukshëm, por thellësisht transformues.
Politika me zemër nuk është dobësi. Është forcë e lartë morale. Është aftësia për të marrë vendime të vështira pa humbur ndjeshmërinë. Është guximi për të thënë të vërtetën edhe kur ajo nuk është popullore. Është mençuria për të ndërtuar ura aty ku të tjerët shohin vetëm hendek. Politika me vizion nuk është ëndërr naive. Është planifikim afatgjatë, është investim në dije, në teknologji, në arsim, në kulturë. Është ndërtim institucionesh që funksionojnë edhe kur individët ndryshojnë. Është krijim i një klime besimi ku të rinjtë mund të përmbushin çdo aspiratë.
Shërbimi me zemër dhe me vizion nuk është slogan. Është standard. Është busull morale. Është thirrje për të gjithë ata që hyjnë në jetën publike: ta bëjnë këtë jo për vete, por për të tjerët. Jo për sot, por për nesër. Jo thjesht për arritje apo krekosje personale, por për mirëqenie të përbashkët.
Nëse arrijmë ta ngulisim këtë frymë në kulturën tonë politike, atëherë do të kemi hedhur themelet e një Shqipërie më të drejtë, më të zhvilluar dhe më njerëzore. Një Shqipërie ku qytetari i thjeshtë ndihet i respektuar, i dëgjuar dhe i përfaqësuar.
Kjo është sfida jonë si lektorë dhe edukatorë. Ky është misioni ynë. Nuk ka studentë të këqij e të paaftë, ka vetëm udhërrëfyes të gabuar e të pazotë. Dhe kjo është rruga që duhet të ndjekim, t’u mësojmë brezave përmes shembullit personal, të drejtojmë duke shërbyer me zemër, me mendje të kthjellët dhe me vizion të qartë për brezat që do të vijnë.





