DURRËS, 23 tetor 2014– Politikanët serbë duket se janë ndërgjegjësuar se imazhi i Serbisë në botë është dëmtuar ndjeshëm pas huliganizmit të tifozëve në ndeshjen kundër Shqipërisë.

Një fakt i tillë është shfaqur qartësisht në një emision në Televizionin Kombëtar të Serbisë, ku ishin të ftuar kreu i grupit parlamentar të partisë SNS të Aleksandar Vuçiç, Zoran Babiç, dhe shefi i Sigurisë në Federatën Serbe të Futbollit, Milivoje Mirkov.

Politikani serb ka akuzuar hapur zyrtarin e FSS-së duke e cilësuar përgjegjësi të kësaj të fundit atë që ndodhi në stadium.

“Isha në ndeshje dhe u ndjeva shumë keq, pasi u shkel dinjiteti kombëtar. Federata e Futbollit është përgjegjëse për të organizuar sigurinë dhe të mbajë rregull në aktivitetet sportive. Kush është përgjegjës që ju keni punësuar pensionistë si stjuardë? Keni stjuardë të cilët vetëm mbajnë jelekun veshur, pasi nuk bënë asgjë”,

tha Babiç, i cili më pas pyeti funksionarin e FSS-së nëse ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen nëse UEFA jepte një vendim kundër Serbisë, pa marrë përgjigje.