SOFJE – Ahmed Dogan, lider i lëvizjes për të drejtat dhe liritë (MRF), në Bullgari i ka shpëtuar sot për mrekulli një atentati. Politikani u sulmua gjatë kohës që po mbante një fjalim para delegatëve të partisë së tij në pallatin kombëtar të kulturës në Sofje. Një person, që u ngjit në podium i drejtoi armën në kokë, por për fatin e mirë të Dogan, arma u bllokua dhe atentatori s’mundi ta shkrepte.
Në pamjet filmike që dokumentojnë këtë rast duket qartë personi që i drejton armën në kokë Doganit dhe më pas është ky i fundit që për një moment, para ndërhyrjes së truprojave, përleshet me atentatorin.
Pamjet filmike të videos shfaqin më pas atentatorin e kapur nga truprojat dhe delegatët e partisë së Dogan. Në fund të videos ai shfaqet i gjakosur si pasojë e goditjeve të marra nga personat që e neutralizuan.
Ministria e Brendshme bullgare bëri të ditur se atentatori ishte një 25 vjeçar, Oktai Enimehmedov, me precedentë të mëparshëm penalë për plagosje dhe posedim lëndësh narkotike. Atij ju gjet në trup edhe një thikë.