Lideri i Iniciativës Qytetare, Oliver Ivanoviç, është qëlluar për vdekje sot në mëngjes në pjesën veriore të Mitrovicës, ndërsa vetëm katër ditë më parë ai kishte deklaruar se si po frikësohet se mund të vritet, shkruajnë mediat serbe.
Gjatë një interviste që e kishte dhënë më 12 janar, ai kishte thënë se çështja e sigurisë në Mitrovicë është “shumë e keqe”, transmeton Telegrafi.
“Frikësohem se kjo situatë jostabile mund t’i bëjë keq njerëzve të pafajshëm, dhe më duhet të pranojë se edhe unë po frikësohem për sigurinë time”, kishte deklaruar Ivanoviç.
Ai gjithashtu kishte deklaruar se ideja që ai të formojë një parti politike “mund t’i pengojë disa individëve”, duke shtuar se në disa raste kishte paralajmëruar zyrtarët vendorë dhe ata ndërkombëtare për situatën shqetësuese në veri të vendit, në veçanti në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës. E brengosur për sigurinë e Ivanoviqit asokohe kishte qenë edhe gruaja e tij.
“Gjithçka na kanë bërë, e vetmja gjë që u ka mbetur pa bërë është të na vrasin një nga një”, kishte deklaruar Milena Ivanoviç.
Në intervistën e tij të fundit dhënë për javoren serbe “Vreme” të botuar në shtator të vitit të kaluar, Ivanoviç kishte deklaruar se situata në Kosovë ka ndryshuar për të keq që nga arrestimi i tij, dhe se ekziston ndjenja “e frikës dhe kërcënimit tek qytetarët”.
“Gjatë takimit me qindra qytetarë që kam pasur pas lirimit nga burgu, as edhe një person nuk ka kaluar pa e ngritur çështjen e sigurisë. Ta kuptojmë njëri-tjetrin: këta njerëz nuk po frikësohen nga shqiptarët por nga serbët, nga bandat lokale dhe kriminelët që vozisin xhipa pa targa. Këtu droga shitet në çdo cep të rrugës, dhe çdo prind po i frikësohet kësaj. Nuk është se ishte gjendja më e mirë edhe më parë, por jo në këtë masë, dhe njerëzit nuk kishin sjellje arrogante siç i kanë tani. Policët vëzhgojnë situatën por nuk ndërmarrin asgjë, kështu qytetarët ndihen të pambrojtur edhe pse në veri të Mitrovicës policët janë serbë. Disa prej tyre janë me përvojë që kanë punuar më parë për Ministrinë e Brendshme të Serbisë, por as ata nuk janë duke bërë asgjë”.
“Gjatë viteve të fundit në pjesën veriore të Mitrovicës, kanë ndodhur mbi 50 raste të djegieve të veturave, hedhje të granatave dhe dy vrasje të pashpjegueshme. E gjithë kjo po ndodh në një hapësirë prej dy e gjysmë kilometra katrorë, që është e mbikëqyrur nga kamerat e sigurisë. Është e qartë që policia nuk dëshiron t’i kap autorët, ose ndoshta autorët kanë lidhje me strukturat e sigurisë. Madje disa thonë se policia e paaftë në zgjidhjen e rasteve, por unë po e kam të vështirë ta besojë këtë. Ata janë të paaftë, por jo në atë masë”, ka shtuar Ivanoviç. /Telegrafi