DURRËS, 24 qershor 2014 –  “Përballë kësaj blerjeje masive të votave, edhe unë [Agron Duka] nuk kisha se çfarë t’i bëja Vangjush Dakos”, deklaroi deputeti republikan që këmbënguli të ishte kandidat i opozitës të bashkuar për bashkinë e madhe bregdetare. Diferenca spektakolare prej 13 600 votash, 57 me 43 për qind, që nga Durrësi në Rrashbull, nga Katundi i Ri në Sukth, nga Manza në Ishëm i ka trullosur edhe optimistët më të “çmendur” të majtë.

Gjithsesi, duke lënë mënjanë dëshpërimin e kuptueshëm të Grida Dumës, është interesant fakti se të njëjtën “Vaterlo” pësoi e djathta edhe në Shijak, në qytetin e Agron Dukës. Nuk kishte rast më ideal që e djathta të merrte bashkinë e madhe që u zgjerua me komunat puro demokrate të Xhafzotajt (dyfishi i popullsisë së qytetit buzë Erzenit, ku fitues dilte vazhdimisht Agim Hoxha i PD-së) dhe Gjepalajt si dhe me “Stalingradin” e Maminasit.

Befasia më e madhe në qarkun e Durrësit nuk është fitorja e Dakos, por e Ardian Kokomanit në super-Shijak, në raportet 57,8 me 40,8 për qind. Koalicioni i djathtë këtu doli më keq se në Durrës. Dhe nga votimet për këshilltarë, vërehet që në Shijak e djathta ka pësuar një katastrofë të vërtetë: PD-ja merr 26,4 për qind dhe PR-ja vetëm 7,1 për qind.

Në PS-në e Shijakut thonë se, dhe sikur vetë Agron Duka të kandidonte për kryetar bashkie, do të humbiste, ndoshta jo kaq thellë, por do të turpërohej. Jo se nuk kanë respekt për ish-volejbollistin e shkëlqyer dhe shpirtin e tij prej kavalieri. Thjesht, Goni ka zgjedhur pozicion të gabuar politik, përveç pirueteve të mëparshme që ka luajtur.

 

 

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/