Intervistoi Mila Ballhysa

Manjola Luku apo Lola siç e njohin shumica e banorëve të zonës së saj është një emër shumë i njohur në Manzë, por jo vetëm. Profesioni i saj e ka bërë që t’u ndodhet përherë pranë njerëzve, në momentet e tyre më të vështira, e për këtë arsye shumica dërrmuese e tyre u ndjenë të kënaqur që Partia Demokratike vendosi ta përfshinte në listën e kandidatëve për deputetë të qarkut Durrës.

Mjekja dhe farmacistja Luku ka qenë gjatë këtyre javëve në takime intensive me banorët e njësisë administrative Manzë, Ishëm, Sukth etj dhe kudo urimi i të gjithëve ka qenë vetëm një: Është gjë shumë e mirë që një përfaqësues nga zona jonë, do të jetë në parlamentin e ardhshëm, do të jetë atje për të ngritur zërin për problemet tona.

E kjo gjë, duket se e ka motivuar edhe më shumë Manjolën në këto javë të ethshme zgjedhore.

Në një intervistë për “DurrësLajm”, ajo thotë se kur i erdhi propozimi nga PD për t’u përfshirë në listën e kandidatëve pranoi pa asnjë hezitim, sepse është e bindur se do të jetë një zë i fortë për gjithë zonën e saj në Kuvend.

Nënë e tre fëmijëve dhe bashkëshorte e njërit prej nënkryetarëve të PD Durrës Gaz Lukut, njëri prej demokratëve më të flaktë të zonës, Manjola thotë se në këto 8 vite qeverisje të PS, asgjë nuk është bërë në Manzë dhe rrethinat e saj.    

“Zona ku unë kandidoj është për fat të keq një ndër ato zona ku ende sot në këto vite që jetojmë diskutojmë për mungesën e ujit të pijshëm dhe mungesën e ndriçimit. Mungesa e infrastrukturës ndihet kudo, ndërkohë që zero mbështetje ka pasur për fermerët. Të shkollosh fëmijët në këto njësi administrative është një sfidë më vete. Pasojat e tërmetit të 26 nëntorit janë të dukshme, njerëzit jetojnë ende në kontejnerë kur ka kaluar 1 vit e gjysëm nga lëkundja sizmike, ndërsa pallatet e reja nuk kanë nisur të ndërtohen”,- thotë Manjola Luku.

Nga ana tjetër, ajo shprehet se tentativat për manipulime nuk mungojnë, por është e bindur se më 25 prill, shqiptarët do të ndëshkojnë me votë qeverinë socialiste.

“Tensionet para zgjedhjeve janë të pritshme, kur në krye të fushatës vendosin njerëz të inkriminuar dhe zyrat e partisë i mbushin me njerëz të tillë. Nuk mund të presësh qasje pozitive, pasi ata njerëz nuk kanë një program dhe gjatë 8 viteve qeverisje vetëm kanë mbushur xhepat e tyre. Në prag zgjedhjesh, gjithçka që mumd të ofrohet prej tyre është vlera monetare kundrejt votës dhe presioni me vendin e punës. Por shqiptarët janë njerëz të zgjuar dhe me dinjitet. Kam besim që nuk do të tremben e do të marrin vendimin e duhur ditën e votimit”,– thotë kandidatja Luku.

Kandidoni për herë të parë në këto zgjedhje. Për ata që nuk ju njohin, kush është Manjola Luku?

Manjola Luku nuk është vetëm një kandidate për herë të parë në këto zgjedhje, por njëkohësisht është një grua, bashkëshorte, nënë e bijë e përkushtuar. Kam mbaruar studimet e larta në Mjekësi dhe Farmaci dhe prej më shumë se 20 vitesh kam shërbyer me devotshmëri dhe përkushtim jo vetëm ndaj pacientëve, por u jam gjendur pranë njerëzve sa herë ata  kanë pasur nevojë për ndihmën time.

Si e priti familja juaj kandidimin, a e pranuat menjëherë propozimin apo ju desh kohë të mendoheshit?

Familja ime ka qenë dhe mbetet busulla kryesore e çdo arritjeje profesionale dhe jo vetëm, po ashtu ato mbeten busulla kryesore e çdo vendimi. Familja ime beson tek fryma dhe programi i  Partisë Demokratike, gjithashtu ato mbeten dëshmitarët e mi më të mirë, të cilët besojnë se mamaja dhe bashkëshortja mundet të jetë një deputete e ardhshme, që do të ngrejë zërin për problematikat e zonës dhe do të jetë një mbështetje e fortë për të gjithë komunitetin e Manzës, Ishmit e më gjerë. Sapo e mora propozimin, familja ime më shtyu të mos kisha asnjë hezitim, por ta pranoja menjëherë. Dhe ashtu bëra.

Keni zhvilluar shumë takime në zonën që mbuloni, disa prej të cilave kanë pasur prani të madhe njerëzish. Si jeni pritur prej banorëve?

Mikpritja ka qenë madhështore e kjo tregon që ka ende shpresë e këtë shpresë, të gjithë po e kërkojnë tek Partia Demokratike, tek ekipi i kandidatëve, por edhe tek mua. U jam shumë falenderuese për besimin dhe dëshirën e madhe që këta banorë kanë për ndryshimin e madh, që pritet të vijë më 25 prill. Janë bërë bashkë për të gjitha kauzat, për të drejtat e tyre të mohuara për të ardhmen e fëmijëve tanë.

Zona ku ju kandidoni është ndër më të prekurat nga tërmeti i 26 nëntorit. Përveç problematikave me procesin e rindërtimit, cilat janë shqetësimet e tjera kryesore të zonës?

Zona ku unë kandidoj është për fat të keq një ndër ato zona ku ende sot në këto vite që jetojmë diskutojmë për mungesën e ujit të pijshëm dhe mungesën e ndriçimit. Mungesa e infrastrukturës ndihet kudo, ndërkohë që zero mbështetje ka pasur për fermerët. Të shkollosh fëmijët në këto njësi administrative është një sfidë më vete. Pasojat e tërmetit të 26 nëntorit janë të dukshme, njerëzit jetojnë ende në kontejnerë kur ka kaluar 1 vit e gjysëm nga lëkundja sizmike, ndërsa pallatet e reja nuk kanë nisur të ndërtohen.

Jeni një mjeke dhe farmaciste në profesion. Qeveria ka nisur një proces vaksinimi masiv, por nëse do të ndaleshim në menaxhimin e gjithë pandemisë, si e ka përballuar këtë situatë qeveria Rama?

Menaxhimi i pandemisë duhet të ishte bërë më mirë. Mjekët janë gjendur përballë një situate alarmante dhe kur them situatë alarmante i referohem mungesës së bazës materiale, mungesës së stafit mjekësor (një pjesë e madhe e të cilit ka emigruar) dhe një ndër pikat më të dobëta mendoj që ka qënë mungesa e testimit masiv, që i çoi qytetarët në dyndje përballë dyerve të spitaleve apo klinikave private apo të dergjen nëpër shtëpitë e tyre dule humbur totalisht besimin në shëndetësi.

Për sa i përket menaxhimit të vaksinimit që për mua mbetet vaksinim i nxituar elektoral mungesa e informimit publik përkon me një tjetër kaos, çfarë po iu injektohet njerëzve dhe nga vjen vaksina. Pandemia ka patur pasoja dërrmuese tek ne si në humbje jete ashtu dhe nga ana ekonomike. Shumë qytetarë kanë harxhuar kursimet e tyre ose kanë hyrë borxh, pasi janë detyruar të trajtohen privatisht. Të gjitha këto që rendita më sipër, flasin për një keqmenaxhim.

Drejtuesi politik i qarkut, Edi Paloka foli për tentativa për shitblerje votash. A keni konstatuar të tilla në zonën tuaj apo tentativa për manipulime që mund të ndikojnë në rezultatin final të 25 prillit?

Tensionet para zgjedhjeve janë të pritshme, kur në krye të fushatës vendosin njerëz të inkriminuar dhe zyrat e partisë i mbushin me njerëz të tillë. Nuk mund të presësh qasje pozitive, pasi ata njerëz nuk kanë një program dhe gjatë 8 viteve qeverisje vetëm kanë mbushur xhepat e tyre. Në prag zgjedhjesh, gjithçka që mumd të ofrohet prej tyre është vlera monetare kundrejt votës dhe presioni me vendin e punës.

Por shqiptarët janë njerëz të zgjuar dhe me dinjitet. Kam besim që nuk do të tremben e do të marrin vendimin e duhur ditën e votimit.

Pse duhet t’ju votojnë ju dhe PD votuesit e qarkut Durrës më 25 prill?

Për gjithçka thamë më lart, për ekipin që sot Partia Demokratike ka, për programin dhe për frymën që këtij vendi i mungon, për të rikthyer të rinjtë dhe familjet e ikura në emigracion, për të ndërtuar në vendin tonë të ardhmen e sigurt të shqiptarëve dhe durrsakëve, që ndihen të pashpresë e të pambështetur.

Përse duhet të më votojnë mua?

Kam qenë, jam dhe do të jem çdo ditë shumë pranë nevojave të tyre, do të jem zë i fortë dhe zëri më i afërt për çdo shqetësim të kësaj zone siç kam bërë deri më sot.