DURRËS, 14 maj 2014 – Gjatë mbledhjes 13 majit 2014 të Komisionit të Ligjeve, deputeti i LSI-së, Spartak Braho kërkoi shkarkimin e presidentit të Republikës, Bujar Nishani, i cili, sipas tij, ka shkelur ligjin në dekretet për emërimet e bëra në sistemin gjyqësor:
“Presidenti i Republikës shkel rëndë Kushtetutën, shkel rëndë ligjin, ndaj unë propozoj që ndaj Presidentit të Republikës të nisin masat për shkarkimin nga detyra. Ky President jo vetëm këto dy herë, por sa të jetë gjallë, nuk do të zbatojë kriteret… Çështja është se ky President nuk njeh ligjin, do të vazhdojmë ne që ta edukojmë këtë President? E vetmja alternativë është që të nisim procedurat për ta shkarkuar atë. Për shkak të papërgjegjshmërisë së tij Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese kanë kaluar në një handikap. Ka anëtarë që u ka mbaruar mandati dhe vijojnë që të japin vendime. Kjo është të luash mendsh”.
Shtypi i përditshëm i 14 majit 2014 i bëri jehon në faqet e para këtij deklarimi të deputetit të LSI-së me banim në Durrës, Spartak Braho, bashkëqytetar i z. Bujar Nishani, por kjo nuk ndodhi me Integrimi-n, organin politik të LSI-së.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





