Ish-Kryeministri Sali Berisha priti në një takim Presidentin e Fondit Shqiptaro – Amerikan të Ndërmarrjeve, Majkëll Granof.

Berisha shprehu vlerësimin për suksesin e projekteve si dhe investimet që janë bërë nga Fondi, veçanërisht ato për rindërtimin e qendrave urbane. Sipas Berishës këto projekte të nisura që vitin 2011, janë të vetmet që kanë ecur në Shqipëri falë financimit dhe ekspertizës së Fondit.

Nga ana e tij Presidenti Granof e informoi ish-kryeministrin Berisha lidhur me projektin më të fundit në Vlorë, ku Fondi do investojë për rindërtimin e qendrës së këtij qyteti.

Në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit pranë ish-kryeministrit thuhet se, Berisha ka folur me shqetësim edhe për lidhjet e kryeministrit me krimin, çka sipas tij kanë çuar në largimin e investimeve të huaja nga Shqipëria.