Ish-ministrja e Arsimit, njëkohësisht deputet e Partisë Socialiste, Lindita Nikolla tha se sjella e policisë ndaj sekretarit organizativ të PD-së, Sahit Dollapi ishte e tepruar.

E ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora, Nikolla shtoi se PD e ka kaluar dy herë vijën e kuqe, një herë më kërcënimin e ambasadorit të OSBE-së dhe një herë me dhunimin e medias, pra reporterëve dhe operatorëve të terrenit.

"Nuk ishte e nevojshme edhe pse brenda protokollit të sjelljes së policisë, ai akti ishte i tepruar dhe si i tillë është dënuar edhe nga Kryeministri dhe nga Ministri i Brendshëm. Në vende të tjera të BE-së një shfaqje e tillë do të ishte brenda protokollit të sjelljes së forcave të Policisë së Shtetit. Duhet thënë se kemi dy herë rastin e tejkalimit dy herë të vijave të kuqe. Rasti i parë me sjelljen e opozitës dhe kërcënimet ndaj ambasadorit të OSBE-së. E paprecedentë, e rrezikshme dhe e papranueshme, që foca politike që pretendojnë që janë për integrimin europian të kenë atë sjellje ndaj përfaqësuesit të BE-së. Ne pamë edhe një vijë të dytë të kuqe, kur u dhunua një operator, një reporter, një makinë e një media tjetër. Një tejkalim ky i rrezikshëm që kërkon kthimin në situatat e dhunës ndaj medias së lirë. Të gjitha këto shfaqje rëndojnë imazhin e Shqipërisë."